Gent Sejko

Guvernatori Sejko në takim me bankat: Inflacioni është i lartë, mund të rrisim përsëri normën bazë!

15 Dhjetor 2023, 16:07| Përditesimi: 15 Dhjetor 2023, 16:09

  • Share

Një rritje tjetër e normës bazë të interesit mund të ndodhë për shkak të inflacionit të lartë. Ky paralajmërim është dhënë nga guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko në takimin e fundvitit me shoqatën e Bankave.

Sejko është shprehur se një rritje tjetër e inflacionit nuk duhet të jetë surprizë për sektorin bankar, i cili duhet të tregohet i kujdesshëm sepse fuqia paguese e kredimarrësve nuk është përmirësuar.

 “Së pari, më lejoni të ritheksoj se niveli ende i lartë i inflacionit mund të kërkojë reagime të mëtejshme të politikës monetare. Nëse do të jetë i nevojshëm, ky reagim duhet të kuptohet drejt nga ju dhe nuk duhet të përbëjë surprizë në aktivitetin tuaj. Së dyti, kreditë me probleme duhet të mbeten një sinjal i rëndësishëm paralajmërues për të gjitha bankat. Banka e Shqipërisë paralajmëroi vitin e kaluar se rritja e kostos së kredive mbart rrezikun e rritjes së kredive me probleme, për sa kohë që aftësia paguese e kredimarrësve nuk është rritur në mënyrë proporcionale me rritjen e çmimeve. Menaxhimi në faza të hershme i problemeve të kredimarrësve mbetet kyçi për shmangien e akumulimit të portofoleve problematike, që paralizojnë procesin kreditues”, ka thënë Sejko.

Po ashtu guvernatori është shprehur se bankat duhet të tregojnë kujdes edhe nga kreditimi i pasurive të patundshme.

“Duhet konsideruar edhe rreziku që mund të vijë nga ekspozimi ndaj pasurive të patundshme, qoftë nëpërmjet financimit direkt apo akumulimit të lartë të kolateraleve nga kjo kategori. Banka e Shqipërisë, për të siguruar krijimin e rezervave të duhura për mbulimin e këtij rreziku, ka prezantuar ndryshimet rregullative që kërkojnë mbajtjen e një sasie kapitali më të lartë për financimin spekulativ të pasurive të paluajtshme, të cilat kanë hyrë në fuqi në fillim të këtij viti. Gjithashtu, në fillim të tetorit 2023, u miratua rregullorja “Për raportimin e të dhënave, identifikimin dhe monitorimin e treguesve mbi kredidhënien dhe investimet në pasuritë e paluajtshme”, sipas së cilës bankat do të fillojnë raportimin e standardizuar të këtyre ekspozimeve për pasuritë e paluajtshme rezidenciale në muajin mars 2024. Presim nga bankat një zbatim rigoroz dhe interpretim sa më korrekt të dispozitave të mësipërme”, tha Sejko.

Ndër të tjera në fjalën e tij Sejko është shprehur se rritja disa herë e normës bazë të interesit ka bërë të mundur që ccmimet të mos cenojnë stabilitetin ekonomik.

“Në përgjigje të presioneve të shtuara inflacioniste, të cilat ishin dhe mbeten një rrezik i qenësishëm për stabilitetin monetar dhe financiar të vendit, Banka e Shqipërisë ka ndërmarrë një proces gradual normalizimi të qëndrimit të politikës monetare. Ky reagim i yni nuk është një veprim refleksiv apo dogmatik; ai buron nga një analizë e thellë e situatës ekonomike dhe një bindje e brendshme se destabilizimi i çmimeve rrezikon stabilitetin ekonomik dhe financiar të vendit në tërësi, përfshi dhe shëndetin e bilanceve të sektorit bankar, si dhe rrezikon të dëmtojë gjithë progresin e arritur gjatë viteve të fundit”, tha ndër të tjera guvernatori.

B.V/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni protestat e dhunshme të Rithemelimit tek Bashkia?