Grupi Parlamentar i PD-së 'nuk dorëzohet' çon në Kushtetuese rrëzimin e kërkesës e Komisionit Hetimor për Investimet Strategjike

31 Korrik 2022, 13:50| Përditesimi: 31 Korrik 2022, 14:44

  • Share

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike nuk është dorëzuar edhe pasi ka dërguar për të tretën herë radhazi ngritjen e Komisionit Hetimor për Investimet Strategjike kësaj radhe i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese. PD, ka kundërshtuar në Gjykatën Kushtetuese rrëzimin e kërkesës për ngritjen e komisionit hetimor për investimet strategjike

Në kërkesë i kërkohet Gjykatës Kushtetuese që të shprehet se deri në çfarë mase ka të drejtë shumica parlamentare të vlerësojë nivelin e respektimit të parimeve kushtetuese në kërkesën për ngritjen e një komisioni hetimor të Kuvendit nga jo më pak se 1/4 e deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë dhe nëse ka të drejtë shumica parlamentare që pa ofruar asnjë propozim a formulim alternativ, të rrëzojë një kërkesë për ngritjen e komisionit hetimor të Kuvendit, për shkak se pretendon mosrespektimin e parimeve kushtetuese.

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike depozitoi për herë të tretë kërkesën për ngritjen e Komisionit Hetimor për Investimet Strategjike. PD kërkon ngritjen e këtij komisioni pasi sipas tyre ka dyshimet për abuzime dhe klientelizëm për projektet strategjike.  Për më shumë se 3 herë, 35 deputetë të Grupit Parlamentar të PD i kërkuan Kuvendit të kontrollonte mënyrën sesi Qeveria ka zbatuar ligjin për investimet strategjike, por mazhoranca socialiste në Kuvend, vendosi mosmiratimin e ngritjes së një Komisioni Hetimor për këtë çështje.

Për deputetët demokrat ligji i investimeve strategjike është shndërruar në një ligj klinetelist që ka favorizuar vetëm pak investitor vendas pranë Qeverisë. Për të ilustruar abuzimin me këtë ligj demokratët kanë sjell shembullin e përfitimit të statusit të investitorit strategjik të bashkëshortit të Ministres së jashtme Olta Xhaçka. 

Mazhoranca socialiste rrëzoi kërkesën e dytë të deputetëve të opozitës për ngritjen e Komisionit Hetimor për të kontrolluar mënyrën sesi qeveria ka zbatuar ligjin për investimet strategjike. Përsëritja e kërkesës u bë pasi Agron Duka tërhoqi firmën pak ditë më parë, ndërsa në vend të tij për ngritjen e komisionit firmosën Enkelejd Alibeaj dhe Lulzim Basha, të cilët sipas argumentimeve të demokratëve për shkak të axhendës nuk kishin mundur të firmosnin. Por socialistët e rrëzuan me pretendimin se kërkesa duhet të ishte bërë nga fillimi dhe firmat duhet të ishin mbledhur sërish pas tërheqjes së deputetit Duka.

Sipas ligjit, për ngritjen e një komisioni hetimor duhen të paktën 35 firma deputetësh. PD thotë se ky komision do të hetojë të gjitha investimet e mëdha, që sipas tyre i janë dhënë miqve të Ramës. Në mbledhjen e fundit të grupit parlamentar PD përcaktoi edhe përbërjen e Komisioni Hetimor për Investimet Strategjike ku kryetar ishte parashikuar Gazment Bardhi. Gazment Bardhi që është edhe inciatori për ngritjen e këtij Komisioni, ka thënë qartë që qëllimi është që me anë të kësaj të kuptohet që shqiptarët do të shohin sesi pronat publike po ndahen tek familjarët e ministrave, tek miqtë e Edi Ramës dhe tek një grusht oligarkësh pranë tij.

 

(Kërkesa e Grupit Parlamentar të PD-së në Gjykatën Kushtetuese)

G.MO//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Minimumi jetik në vend 184 euro për person, a është i mjaftueshëm?