Grupi paraushtarak sudanez pranon një armëpushim 72 orësh! SHBA konfirmon se një nga shtetasit e saj ka vdekur nga luftimet në Sudan

21 Prill 2023, 11:43| Përditesimi: 21 Prill 2023, 12:48

  • Share

Grupi paraushtarak i Sudanit, RSF tha në një deklaratë se pavarësisht nga luftimet e vazhdueshme e të ashpra me ushtrinë në kryeqytetin Khartoum ata do të respektojnë një armëpushim 72-orësh për të shënuar festën myslimane të Fitër Bajramit. Ky armëpushim hyri në fuqi të premten në orën 6 të mëngjesit, por ushtria sudaneze ende nuk ka komentuar. Megjithatë, tingujt e të shtënave dhe shpërthimeve ende dëgjohen në kryeqytet. Khartoumi u trondit nga bombardime të rënda në orët e para të së premtes, pak minuta përpara se të fillonte armëpushimi i paraushtarakëve.

Ndërkohë, një zëdhënës i Departamentit Amerikan të Shtetit ka konfirmuar se një shtetas amerikan ka vdekur në Sudan. Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera kanë bërë përgatitjet për të evakuuar qytetarët e tyre në Sudan, një perspektivë e vështirë pasi shumica e aeroporteve të mëdha janë bërë terrene beteje dhe lëvizja nga kryeqyteti Khartoum në zona më të sigurta është e rrezikshme.

OKB-ja ka deklaruar se rreth 20,000 civilë, kryesisht gra dhe fëmijë, janë larguar nga Sudani mes luftimeve të ashpra atje, për të kërkuar siguri në Çadin fqinj.

Nga ana tjetër sipas burimeve diplomatike sudaneze dhe rajonale mësohet se Grupi mercenar rus Wagner ka furnizuar forcat paraushtarake me raketa për të ndihmuar luftën e tyre kundër ushtrisë së vendit.

Beteja për pushtet që është ndezur që nga e shtuna e kaluar në Sudan është rezultat i një përplasjeje që po vazhdon prej disa kohësh brenda liderëve ushtarakë në Khartoum. Derimë tani luftimet kanë marrë të paktën 350 jetë dhe mijëra të tjerë janë plagosur, ndërsa kanë privuar miliona njerëz nga energjia elektrike, uji dhe ushqimi, duke shkaktuar një katastrofë humanitare. Alarmi është rritur pasi edhe sistemi mjekësor i vendit është në prag të kolapsit

K.T.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Sipas jush për kë do të votonte diaspora?