Protesta në Gjeorgji

Grupet për të drejtat e njeriut i bëjnë thirrje Gjeorgjisë të mbrojë lirinë e shprehjes

10 Maj, 22:01| Përditesimi: 10 Maj, 22:03

  • Share

Mediat ndërkombëtare dhe organizatat për të drejtat e njeriut i kanë bërë thirrje kryeministrit gjeorgjian, Irakli Kobakhidze, që të tërheqë draft-ligjin për “agjentët e huaj” dhe të ofrojë siguri për gazetarët dhe mbrojtje për lirinë e shtypit në Gjeorgji.

Për javë të tëra, në Gjeorgji po mbahen protesta për tërheqjen e asaj që kritikët e cilësojnë si “ligj rus”. Ky legjislacion është prezantuar nga partia në pushtet, Ëndrra Gjeorgjiane. Protestuesit janë përballur me përgjigje të ashpër të policisë, ndërkaq bandat kanë shënjestuar protestuesit.

Përmes një letre të përbashkët të lëshuar më 10 maj, 18 media dhe organizata për të drejtat e njeriut, përfshirë edhe Institutin Ndërkombëtar të Shtypit, thanë se legjislacioni i propozuar – që së fundi kaloi në leximin e dytë, nga tre gjithsej, në Parlament – “u ofron autoriteteve një mjet të fortë për të diskredituar, bërë presion dhe për të heshtur zërat e pavarur, prandaj kërcënon lirinë e shtypit dhe lirinë e shprehjes”.

Grupet theksuan se legjislacioni i propozuar jo vetëm që do të detyronte mediat e pavarura dhe organizatat joqeveritare të cilësohen si “organizata që ndjekin interesat e fuqive të huaja”, por po ashtu do t’i jepte fuqi Ministrisë së Drejtësisë të Gjeorgjisë që të kryejë hetime ndaj këtyre organizatave, “vetëm në bazë të një aplikimi të shkruar nën pretendimet se kanë lidhje me ‘fuqi të huaja’”.

Legjislacioni pritet të kalojë në lexim të tretë më 13 maj, teksa Ëndrra Gjeorgjiane ka votat e mjaftueshme që të përmbysë veton e premtuar nga presidenti, Salome Zurabishvili.

Sipas legjislacionit të propozuar, mediat, OJQ-të duhet të regjistrohen si organizata që “ndjekin interesat e një fuqie të huaj”, nëse ato marrin më shumë se 20 për qind të fondeve të tyre nga jashtë.

Edhe vitin e kaluar, Gjeorgjia kishte prezantuar një legjislacion të ngjashëm, i cili ishte tërhequr pas protestave masive./ REL

G.K/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se lufta ndaj nëndeklarimit të pagave do rrisë ndjeshëm pensionet?