Gripi i Shpendëve/ Ministria e Bujqësisë: Mbi 382 mijë shpendë të ngordhur, ndalohet shitja dhe transporti në 3 qarqet e prekura! Produktet të sigurta

24 Mars 2022, 13:28| Përditesimi: 24 Mars 2022, 14:21

  • Share

382.672 janë shpendët e ngordhura nga gripi i shpendëve në Shqipëri deri më tani, ndërkohë që lajmi i mirë është se sipas Ministrisë së Bujqësisë asnjë vatër e re nuk është konstatuar.

Përmes një deklarate të posaçme, zv. ministrja e Bujqësisë Ermira Gjeçi tha se janë marrë të gjitha masat.

"Në lidhje me situatën e gripit të shpendëve në Shqipëri, gjatë ditës së djeshme nuk ka pasur asnjë rast të dyshimtë të konstatuar në kontrollet tona apo raportuar në numrin e gjelbër. Aktualisht: po respektohen procedurat e shuarjes së vatrës, po kryhet tamponimi i zonës sipas niveleve të rrezes, po komunikohet risku për fermerët dhe veterinerët e zonës, është siguruar baza materiale e ajo mbrojtëse për veterinerët. Në të gjithë territorin e vendit deri mbrëmë në darkë kemi  382, 672 shpendë të ngordhur.  Vazhdon procesi për eliminimin dhe asgjësimin e kafshëve që po ngordhin.  Veterinerët zyrtarë të AKVMB kanë kryer vizita e kontrolle në të gjithë 63 stabilimentet shpendërritëse dhe deri tani nuk ka raste të dyshuara.  Nga kontrollet zyrtare në komplekset intensive të mbarështimit të shpendëve me drejtim për prodhimtarinë e mishit, rezultatet tregojnë se janë të pastra", tha ajo.

Zv. ministrja u shpreh se është e rëndësishme për tregtarët dhe publikun që të dihet se është në fuqi Urdhri për marrjen e masave kufizuese për parandalimin e sëmundjes së influencës aviare në shpendë në mjediset e hapura dhe tregjet e kafshëve të gjalla. Ky urdhër do të zbatohet në tre qarqet ku është konfirmuar vatra e sëmundjes: Durrës, Dibër Korçë.

"Urdhri ndalon shitjen dhe tregtimin e shpendëve të gjalla në mjediset e hapura dhe tregjet e kafshëve të gjalla në këto qarqe si dhe lëvizjen e shpendëve të gjallë nga ferma në fermë dhe nga ferma në tregjet e kafshëve të gjalla.  Policia e shtetit, prefektët dhe kryetarët e këtyre 3 bashkive por dhe të gjithë territorit të Shqipërisë janë në bashkëpunim të ngushtë me ne për të ndaluar çdo tentativë të shkeljes së ligjit.  Nga kontrollet e ushtruara nga AKU në të gjithë territorin e vendit deri tani nuk janë evituar shkelje', vijoi Gjeci.

Në fund ajo garantoi se nuk ka asnjë rrezik nga mishi dhe vezët në treg për të gjithë konsumatorët.

"Më lejoni të shfrytëzoj ekranet tuaja dhe këtë komunikim për t'ju drejtuar konsumatorëve se nuk ka asnjë rrezik si për mishin ashtu dhe për vezët të cilat i blini nga operatorët e licencuar dhe produktet janë të kontrolluara.  Nuk ka asnjë rrezik nga konsumi i mishit dhe vezëve të gatuara me temperature më të larta se 70 gradë Celsius si është dhe procedura normale e gatimit.  Në faqet e ministrisë së bujqësisë, autoritetit kombëtar të ushqimit si dhe të autoritetit kombëtar të veterinarisë mund të gjeni informacionin e nevojshëm në ueb-faqet tona zyrtare', përfundoi deklaratën për mediat zv. ministrja e Bujqësisë, Ermira Gjeçi.

Një ditë më parë, ministria e Bujqësisë, njoftoi se pas Durrësit dhe Korçës, prezenca e gripit të shpendëve është zbuluar edhe në Dibër. Këto vatra janë futur në karantinë në një rreze prej 10 km, siç parashikohet edhe në protokoll.

K.T.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?