‘Gravity’, baleti i Preljocaj në Opera! 'Homeriada' e Blerina Shalarit pranë Katedrales Ortodokse! ‘Tinguj për Tiranën’ në Amfiteatër

27 Shtator 2023, 09:52| Përditesimi: 28 Shtator 2023, 10:46

  • Share

Baleti "Gravity" me koreografi të Angelin Preljocaj çel edicionin e dytë të Festivalit Ndërkombëtar të Kërcimit Bashkëkohor. Në Teatrin e Operas, spektakli i dancit që mbahet në bashkëpunim me Qendrën Kulturore të Artit Bashkëkohor "Harabel", pret publikun sot e nesër në orën 19.00.

Kompozitorja Blerina Shalari, me artistë të përzgjedhur, jetëson këtë mbrëmje në orën 19.00 në qendrën kulturore pranë Katedrales Ortodokse koncertin "Homeriada" me krijimtarinë e saj muzikore.

Hyrja është e lirë në mbrëmjen muzikore "Tinguj për Tiranën" që bën bashkë sot në orën 19.00 në Amfiteatrin pranë Liqenit artistë vendas e të huaj, me emra si Josif Gjipali, Ardita Meni, Kastriot Tusha e të tjerë muzikantë të talentuar.

Në Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit mbahet sot në orën 18.00 një takim letrar me autorin Andrin Kabashi,  fitues i Fondit Letrar për të Rinj.

Me 192 produksione premierë në Shqipëri, Festivali Ndërkombëtar i Filmit “Tirana Film Fest”(TIFF) vijon sot të shfaqë nga ora 10.00 deri në orën 22.15 video e filma artistikë, dokumentarë, filma të animuar, në Liceun Artistik, kinema ‘Millenium’ dhe Qendrën dhe Artit “Agimi”.

Në 80-vjetorin e saj të lindjes, Biblioteka Kombëtare ka çelur një ekspozitë me krijimtarinë e shkrimtares dhe përkthyeses Helena Kadare.

Çelet sot në orën 19.00 në galerinë "Fab" në Tiranë ekspozita personale e artistit Mumtas Dhrami  "Kujtime nga Kina, 1967".

Në bashkëpunim me Fondacionin “Papa Klementi XI Albani”  dhe në kuadër të “Ditëve Evropiane të Trashëgimisë”, vendoset sot në mjediset e Pavijonit të Mesjetës të Muzeut Historik Kombëtar busti i Klementi XI Albanit shoqëruar me disa dokumente shenjtërisë së tij.

Nga sot në orën 18.30, për tri net radhazi, mbahet në teatrin 'Skampa' në Elbasan, edicioni i 8-të i Festivalit "Takimi Kombëtar i orkestrave të harqeve, muzikës së dhomës dhe krijimtarisë së saj", i drejtuar nga Blerim Narazani.

M.T//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Tragjedia në Shkodër, a duhet gratë të denoncojnë çdo formë dhune?