Gratë shtatzëna, me orë të
tëra në rradhë për një vizitë

7 Janar 2014, 07:35| Përditesimi:

  • Share
TIRANE- Gra shtatëzëna që presin me orë të tëra në radhë për një vizitë apo një eko. Kjo është panorama e përditshme në Qendrën e Shëndetit të Gruas  pranë maternitetit “ Mbretëresha Geraldinë”. Çdo ditë aty paraqitetn me dhjetra gra për t’ju nënshtruar vizitave dhe kontrolleve për mbarëvajtjen e shtatëzanisë dhe janë të detyruara të qëndrojnë në këmbë për orë të tëra në pritje për të marrë shërbimin e kërkuar shëndetësor.

Pacientët janë të detyruar të presin dhe të durojnë rradhët e gjata, në të kundërt duhet t’i drejtohen privatit. Në pamundësi për t’i kryer shërbimet në qendrat private ata shprehen të pakënaqur nga shërbimi i personelit mjekësor. Anisa një 27-vjeçare është 5 muajshe shtatëzanë.

Ajo shprehet: “kam që në orën tetë të mëngjesit që jam këtu dhe akoma nuk kam mundur të bëj vizitën për të cilën kam ardhur edhe pse ora është njëmbëdhjetë”. Kjo paciente na tregon që këtu situata ka qenë e njejtë për të gjitha herët kur i është dashur të vijë për vizita.

Ndërkohë pacientet e Qendrës Shëndetësore të Grave shprehen se numri i personelit mjekësor është i vogël duke marrë parasyshë numrin e lartë të vizitave. Fluksi i madh i pacientëve është i papërballueshëm nga personeli mjekësor dhe për këtë arsye pacentët detyrohen të presin aty me orë të tëra në këmbë.

Kjo situatë vazhdon prej kohësh duke shtuar kështu pakënaqësitë e pacientëve dhe duke i bërë ata të ndjehen të detyruar të përdorin klinikat private për të marrë shërbimin e kërkuar të cilin nuk mund ta marrin në ato shtetërore. Të shumtë janë pacientët që e kanë braktisur këtë qendër shëndeti e megjithatë fluksi aty mbetet pothuajse i njejtë.

E njejta panoramë paraqitet çdo ditë përpara këtyre femrave që presin të bëhen nëna dhe durojnë radhët  e gjata për të kontrolluar mbarëvajtjen e rritjes së të vegjëlve që presin të vijnë në jetë. Me gjithë entuziazmin e një nënë që pret të sjellë në jëtë një fëmijë, përballja me një panoramë të tillë është e dëshpërueshme.
 
Virozat e stinës, rritet numri i pacientëve të vegjël në pediatri
Virozat e stinës kanë mbipopulluar pediatrinë e QSUT-së dhe ambulancat e lagjeve. Në urgjencën e këtij spitali, paraqiten çdo ditë rreth 200 raste, ndërsa në sistemin parësor paraqiten rreth 10-12 raste në ditë. Por për mjekët, duke iu referuar muajit ku ndodhemi, kjo është një situatë normale.

Ata na shpjegojnë edhe simptomat që na bëjnë të kuptojmë se po prekemi nga virozat e stinës. Por mjekët nuk harrojnë të japin edhe këshillat se si duhet të veprojmë për të shmangur ndonjë komplikacion të mëtejshëm nga virusi i gripit.

 Por dyndja në QSUT, ka vënë në vështirësi mjekët e këtij spitali, të cilët duhet të merren me një grip të thjeshtë, kur këto raste duhet të trajtohen në sistemin parësor.
 Sipas mjekëve kurba e të prekurve do të vazhdojë të rritet deri në muajin shkurt, kur pritet të jetë edhe piku i virozës së stinës.

E njejta situatë paraqitet edhe në rrethe të vendit ku pacientë të shumtë i janë drejtuar ambulancave gjatë këtyre ditëve të ftohta si pasojë e virozave të stinës. Por ata që janë më delikat dhe që kërkojnë kujdesin më të madh janë fëmijët të cilët edhe këtë vit kanë mbipopulluar ambulancat.
 
Shkrimi u publikua sot (07.01.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

  • Sondazhi i ditës:

    Tragjedia në Shkodër, a duhet gratë të denoncojnë çdo formë dhune?