Gramoz Ruçi dhe Nancy Pelosi

Gramoz Ruçi mesazh urimi për Kryetaren e Dhomës së Përfaqësuesve në SHBA: Me ju fuqizojmë marrëdhënien dypalëshe

4 Janar 2021, 13:48| Përditesimi: 4 Janar 2021, 14:12

  • Share

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, z. Gramoz Ruçi, i dërgoi një mesazh urimi Znj.Nancy Pelosi me rastin e rizgjedhjes Kryetare e Dhomës së Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Me rastin e rizgjedhjes Suaj në detyrën e lartë të Kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve të ShBA, në emër të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë si edhe në emrin tim personal, Ju dërgoj urimet më të përzemërta.

Cilësitë e vyrtytet e larta të lidershipit Tuaj, përkushtimi i jashtëzakonshëm dhe përvoja mbi tridhjetëvjeçare në Kongres si udhëheqëse e sprovuar dhe e shkëlqyer, në drejtimin e Dhomës së Përfaqësuesve gjatë termit 2007-2011 dhe 2019-2021, si edhe në drejtimin për një periudhë të gjatë të grupit të Demokratëve, janë garancitë se Dhoma e Përfaqësuesve do t’u shërbejë me besnikëri aspiratave dhe interesave të kombit amerikan.

Nën drejtimin Tuaj, Dhoma e Përfaqësuesve dhe Kongresi i ShBA do të vazhdojnë të kontribojnë në mbështetjen e zhvillimit, ruajtjen e paqes, garantimin e sigurisë në botën e sotme, daljen nga pandemia e Covid-19 dhe përkrahjen e kombeve në të gjithë globin për liri, qytetërim e demokraci.

Lidershipi dhe administrata e Presidentit Joe Biden është një garanci e sigurt për një Amerikë më të fortë dhe një botë më të mirë.

Jam i bindur se bashkëpunimi midis Dhomës së Përfaqësuesve të ShBA dhe Kuvendit të Shqipërisë do të vazhdojë të fuqizohet në të ardhmen.”, shprehet Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi, në letrën e urimit dërguar Kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve të ShBA, Znj. Nancy Pelosi.”


Lajmi kryesor:

Nancy Pelosi rizgjidhet kryetare e Dhomës së Përfaqësuesve në SHBA/ Ruçi e uron për fitoren: Me ju fuqizojmë marrëdhënien dypalëshe


J.GJ./ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni mesazhet që dha Rama në takimin me diasporën në Athinë?