Grabitja me armë e pikës së këmbimit valutor në Tiranë, verifikohen 2 punonjës! Dyshohet se bashkëpunuan me autorin që mori 30 mijë euro

25 Qershor 2023, 09:47| Përditesimi: 25 Qershor 2023, 13:39

  • Share

TIRANË- Policia ka dyshime të forta se bashkëpunëtorë në grabitjen e së shtunës në unazën e re, ku në një pikë këmbimi valutor u morën rreth 30 mijë euro, mund të kenë qenë punonjës të kësaj pike, ndaj ka nisur verifikimin e tyre.

Dyshimet kanë lindur nisur edhe nga fakti se dera ka qenë e hapur çka ka mundësuar që autori, ende i paidentifikuar të futet lehtësisht aty ku ndodheshin paratë. Dyshimet po ashtu janë se ai kishte dijeni mbi shumën që ndodhej mëngjesin e së shtunës në pikën e këmbimit.

Pika e këmbimit valutor u grabit në zonën e Unazës së re në Tiranë pak minuta pasi kishte nisur aktivitetin mëngjesin e të shtunës. Autori dyshohet se ka marrë të paktën 30 mijë euro përmes kërcënimit të punonjëseve.

Grabitësi ishte i veshur me të zeza, me fytyrën e mbuluar me maskë anti-covid dhe me syze të errëta, u fut në ambientet e brendshme të pikës së këmbimit valutor. Agresori shihet teksa nxjerr një pistoletë që nuk dihet nëse është armë e vërtetë apo imituese dhe me shpejtësi hynë në pjesën e banakut ku qëndrojnë punonjëset. Nën kërcënimin e armës kërkon paratë dhe në një moment godet me grusht në shpinë njërën prej punonjëseve.

E gjendur nën kërcënimin e armës, ajo i tregon grabitësit sirtarët ku mbahen paratë. Autori me shpejtësi nis marrjen e kartmonmedhave të cilat i fut në pjesën e brendshme të bluzës teksa kontrollon ngado me armën në dorë. Gjatë kohës që grabitësi merr topat me para, në derën e parë të pikës së këmbimit valutor shfaqet një grua, së cilës, sipas pamjeve të kamerës, njëra prej punonjësve ia bën me shenjë dhe ajo largohet menjëherë. E gjithë skena zgjat rreth 1 minutë e 20 sekonda. Grabitësi u largua qetësisht nga biznesi dhe me një biçikletë humbi gjurmët nëpër rrugica.

Policia e Tiranës vendosi 5 mijë euro shpërblim për çdo qytetar që mund të japë informacion të vlefshëm për identifikimin e autorit në numrin: 0694110415, duke garantuar anonimatin e plotë.

M.Q./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Minimumi jetik në vend 184 euro për person, a është i mjaftueshëm?