Grabitet kambisti në Korçë! 2 nga autorët marrin 10 mln lekë dhe ikin, i treti kapet nga pronari! Fqinjët: U zgjuam nga ulërimat! Po përlesheshin me njëri-tjetrin (VIDEO)

11 Janar 2021, 07:26| Përditesimi: 11 Janar 2021, 18:07

  • Share

KORÇË- Një banesë ka rënë pre e grabitjes në orët e para të mëngjesit të kësaj të hëne në qytetin e Korçës. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 06:10, në lagjen nr. 1, në rrugën e "Bilbilave", ku tre persona të maskuar kanë grabitur banesën e kambistit të identifikuar si Shefqet Muço.

Report Tv mëson nga burime zyrtare se kanë qenë 3 autorë, 2 prej të cilëve kanë arritur që të marrin një sasi të konsiderueshme të lekëve, e ndërsa i treti është arrestuar, kjo pasi ky i fundit u përlesh me të zotin e shtëpisë, e për pasojë mbeti i lënduar.

Për gazetaren e Report Tv, Gladiola Hoxha, fqinjët tregojnë se u zgjuan në mëngjes nga ulërimat e familjes Muço. Një prej autorëve, aktualisht i arrestuar, është përleshur me Muçon. Ky i fundit ka marrë plagë në kokë, teksa të lënduar ka mbetur edhe gruaja dhe djali tij.

Ora 11:45
Grabitja në Korçë/ Zbardhet emri i autorit që u përlesh me kambistin!

Report Tv mëson se autori që ka kryer grabitjen është Agim Çoçi, rreth moshës 50-vjeç. Ai është në spital pasi ka marrë lëndime për shkak se është përleshur me kambistin. Ai është nga Moglica, por banues në Durrës.

Ora 10:41
Grabitja e kambistit në Korçë/ Autorët morën 10 milionë lekë

Detaje të reja kanë dalë në dritë nga grabitja e kambistit në Korçë. Sipas burimeve, mësohet se kambistit i janë grabitur 10 mln lekë.

Ora 08:14
Grabitja në Korçë/ Fqinji: Kambisti ishte i gjakosur në fytyrë, ia hoqa nga duart autorin ‘i thashë mos e vrit’ (VIDEO)

Një nga fqinjët tregon se si ka ndodhur grabitje, teksa zbulon edhe për përleshjes së kambisti ka pasur me një nga autorët.

“Katër thotë ato, po unë i pashë katër. Pashë vetëm një që Shefqeti e kishte vënë poshtë, Shefqeti i gjakosur këtej, gruaja e goditur, djali i tij ka ndrydhur dorën, unë vajta vetëm sa ia hoqa nga dora. I vajti tjetri me pistoletë i tha lëshoje, Shefqeti i tha “nuk e lëshoj më vrit”. U pashë me doreza autorin, për të mos e vrarë fare e hoqa Shefqetin, lëre se vjen policia. E kanë goditur Shefeqtin te koka, iu gjend e gjithë lagjja në ndihmë”, tregon ai.

Një tjetër fqinj tha se doli jashtë sapo dëgjoi ulërimat dhe i dha ndihmë të zotit të shtëpisë pasi ishte i gjakosur.

“Dëgjova ulërima, dola nga shtëpia, erdha i pashë. Ishte gjakosur i zoti i shtëpisë”, rrëfen një tjetër fqinj.

 

Ora 08:08
Grabitja në Korçë/ Zbulohet emri i kambistit! Të afërmit: Është e disata herë që ndodh

Report Tv mëson se kambisti, banesa e të cilit ra pre e grabitjes orët e para të mëngjesit të sotëm është Shefqet Muço, teksa Report Tv sjell pamje nga vendi i ngjarjes. Sipas dëshmisë së të afërmve, kjo është e disata herë që ndodh.

B.K.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?