Google projekton lentet për diabetikë
që tregojnë nivelin e sheqerit

17 Janar 2014, 15:53| Përditesimi:

  • Share
Google po punon për krijimin e lenteve me kontakt për diabetikët të pajisura me sensorë që tregojnë nivelin e sheqerit në gjak. Ky dispozitiv tashmë është një prototip që nuk do të jetë shumë shpejt në treg, por shoqëria që po i prodhon po i dedikohet shumë këtij projekti dhe ka nisur kontaktet e para me Food and Drug Administration (FDA), ndërmarrja shtetërore që merret me rregullimin e produkteve farmaceutike dhe ushqimore. 

Lentet me kontakt për diabetikët janë fryt i punës së Google [x], një fraksion i shoqërisë që merret me zhvillimin dhe eksperimentimin e teknologjive të reja dhe shumë ambicioze. Sipas disa informacioneve të para, një person në 19 të tillë në të gjithë botën vuan nga diabeti dhe numri i të prekurve nga kjo sëmundje është në rritje. Një pjesë e tyre, për shkak të stilit të jetesës, apo për shkak të mënyrës së të ushqyerit. Kjo do të thotë se çdo ditë mijëra persona në të gjithë botën duhet të përballen me matjen e nivelit të glukozës në gjak me anë të testimit në gisht. Kjo është një praktikë e komplikuar dhe e dhimbshme dhe që duhet të përsëritet disa herë në ditë.

Për këtë arsye, grupi kërkimor Google[x] ka menduar të realizojë këtë sistem alternativ për të matur nivelin e glukozës në gjak pa shumë komplikime. 

Në këtë lente me kontakt janë vendosur disa mikroçipa, një sensor dhe një antenë për transmetimin e të dhënave, që është një fije fare e hollë, pothuajse e padukshme. 

Nëse tek personi që i mban këto lente me kontakt, verifikohet një anomali në nivelin e sheqerit në gjak, jepet një sinjal nga ana e këtyre lenteve dhe personi në fjalë duhet të veprojë në normalizimin e nivelit. 
Google[x] po punon që ky version i këtyre lenteve të jetë i pajisur me një dritë LED, që ndizet kur personi ka një problem me sheqerin në gjak. Kjo dritë projektohet drejtpërdrejt në sy. 

Por do të duhen edhe shumë vite, deri sa lentet me kontakt për diabetikët të nxirren në shitje për personat e sëmurë, pasi duhen ende disa verifikime, përsa i përket saktësisë së të dhënave. Disa teste paraprake nuk kanë dhënë përgjigje të sakta, pasi është e vështirë të mbledhësh informacion të mjaftueshëm nga loti. 


(v.gj/shqiptarja.com)
 

  • Sondazhi i ditës:

    Tragjedia në Shkodër, a duhet gratë të denoncojnë çdo formë dhune?