Golemi në Report Tv: Gjirokastra do ketë pedonalen më të madhe në Shqipëri! Pikë e dobët, zanatçinjtë dhe pronat e braktisura! Sfida, zgjatja e qëndrimit të turistëve

8 Maj 2023, 21:30| Përditesimi: 9 Maj 2023, 07:13

  • Share

Flamur Golemi, me profesion mjek okulist do të rikandidojë në zgjedhjet e 14 majit për mandatin e dytë për bashkinë e Gjirokastrës nën siglën e PS. Në një intervistë për Report Tv në emisionin ‘5 pyetjet’ me gazetarin Ilir Babaramo, Golemi thotë se kanë gati projektin që në Gjirokastër të jetë pedonalja më e madhe në Shqipëri.

Për qytetin që ka bindjen se do e drejtojë edhe në 4 vitet e ardhshme, mburret me punët e kryera me ujësjellësin, turizmin dhe bypass-in e Gjirokastrës. Sipas tij, ky bypass e lehtëson lëvizjen e qytetarëve ndërsa parkingu me 300 vende e bën më të lehtë sistemimin në qytetin e Gjirokastrës.

“Janë disa, e fillojmë me investimin e ujësjellësit si dhe turizmi. Aktualisht abonentët e Gjirokastrës kanë ujë 24 orë. Përfundimi i bypass-it e bën qytetin ‘1’, lehtëson lëvizshmërinë dhe shfaq para qytetarëve pjesën tjetër të qytetit me bukuri dhe me shtëpi karakteristike. Vazhdojmë me parkingun, fluksi i ri i turistëve sidomos në periudhën maj-shtator, e bën të pamundur parkimin. Aktualisht parkingu me 300 vende jep zgjidhje për sistemimin në Gjirokastër. Gjirokastra shumë shpejt do ketë pedonalen më të madhe në Shqipëri”, tha Golemi.

Për turizmin, Golemi tha se sfida e tyre mbetet zgjatja e qëndrimit të turistëve në Gjirokastra.

"90% e turistëve janë të huaj. Në 2020 dhe 2021 kapëm shumë turistë shqiptarë dhe në 2022 patëm sërish statisgtikat e të huajve. Ata qëndrojnë minimumi 3 ditë në Gjirokastër. Për hotelerinë jam i kënaqur, për kulinarinë ka një standard në rritje, kemi shumë punë për të bërë. për shërbimin duhet bërë më shumë edhe me shkollën profesionale dhe universitetin", tha Golemi.

Një nga pikat e dobëta për të cilat duhet të punojë fort janë zanatçinjtë duke qenë se është rritur kërkesa për forcë punëtore për shkak të fluksit të turistëve.

“Të gjithë shtëpitë po i kthejnë në bujtina, hotele e restorante, është rritur kërkesa për zanatçinj. Kjo është një nga pikat e dobëta që duhet të fokusohemi shumë. Kemi shkollë industriale, shkollë profesionale dhe universitet për zanatçinjtë. Bashkia, pushteti vendor kanë pjesën e vet në subvencione por mbetet pikë e dobët për të cilën duhet të punojmë për burimet njerëzore”, tha Golemi.

Golemi u shpreh se ka shumë kërkesa për pronat e braktisura si dhe po shtohen bujtinat e hotelet për të pritur numrin e madh të turistëve. Ndërsa për banesat që janë lënë në harresë, Golemi shprehet se kërkohet ndërhyrje ligjore edhe nga qeveria bashkë me pushtetin vendor për të pasur zgjidhje.

“Është një ngërç me pronat dhe një nga problemet që duhet të merremi seriozisht. Kemi diskutuar me Mirela Kumbaron dhe kemi modele që duhet t’i konsultojmë se nuk mund të kemi zgjidhje të dhunshme”, tha Golemi.

Sa i përket ruajtjes të zonës së vjetër, Golemi u shpreh se kanë nisur punën për projektin për ruajtjen e fasadave. Një arritje cilëson edhe pikën e grumbullimit që ka larguar mbeturinat nga qyteti dhe që duhet të vijojë me njësitë administrative.

“Kemi nisur, është bërë projekti i parë për fasadat. Zona e mbrojtur duhet të kemi sistem viziv por duhet t’i mbetet dhe traditës. Nuk mund të diskutojmë për një qytet traditë pa mjedis të pastër. Sot kemi pikë grumbullimi të sistemuar. Ka problematikë dhe po vijojmë që në këtë qasje duhet të kemi edhe për zonat e tjera, Gjirokastra ka edhe 6 njësitë administrative”, tha Golemi.

Për fushatën e kryer deri tani, Golemi tha se ashtu siç premtuan, 2 javët e para nisën me mbjellje pemësh për të vijuar me një fushatë e qetë qytetare.

“Në Gjirokastër, gjithmonë fushatat kanë qenë pa probleme. Ne si forcë politike kemi bilanc, dalim me model, me PS dhe me mbështetjen e kryeministrit Edi Rama”, tha Golemi.

Kryebashkiaku aktual i Gjirokastrës theksoi se puna për Pallatin e Sportit do të nisë shumë shpejt. Edhe fusha e aviacionit thotë se është funksionale ndërsa do e kthejnë në aerodrom për ta kthyer në pol tjetër atraktiv të qytetit. Një plan që Golemi do ta bëjë realitet në 4-vjeçarin e ardhshëm është edhe terminali i Gjirokastrës.

A.M.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni protestat e dhunshme të Rithemelimit tek Bashkia?