Gjysma e tenderave në BSh me
prokurim të drejtpërdrejtë, pa garë

11 Tetor 2014, 19:34| Përditesimi:

  • Share
TIRANE- Më shumë se gjysma e tenderave në Bankën e Shqipërisë janë realizuar me prokurim të drejtpërdrejtë, pa garë mes kompanive. Një raport i fundit i Kontrollit të Lartë të Shtetit thellon edhe më shumë skandalin e abuzimeve financiare, por edhe të administrimit në Bankën Qendrore. Kontrolli është kryer menjëherë pas publikimit me vjedhjen e thesarit.

Raporti nuk i kushton asnjë paragraf skandalit të vjedhjes, përveç rekomandimit që inventarizimi fizik i arkës stok të kryhet vit për vit. Por edhe pse e shmang këtë çështje ai konstaton një sërë parregullsish në fusha të tjera.

Sipas raportit, vitin e kaluar Banka e Shqipërisë prokurori 18 milionë dollarë tendera. Por vetëm 18 për qind e tyre, kanë qenë me prokurim të hapur dhe konkurrues. Të tjerët ose kanë qenë me pjesëmarrje të kufizuar ose me prokurim të drejtpërdrejtë, ku drejtuesit e bankës kanë zgjedhur vetë kompaninë private dhe po kështu kanë negociuar po vetë çmimin. Por prokurimet nuk janë fusha e vetme, ku KLSH konstaton shkelje.

Raporti thotë se shpërdorime ka edhe në kontratat për ndërtesat që janë marrë me qira nga privatët, ku për të njëjtin ambient janë paguar çmime të ndryshme. KLSH thotë se përgjatë gjithë kësaj kohe Banka e Shqipërisë ka injoruar në vazhdimësi, rekomandimet e lëna nga auditi i brendshëm i saj, duke konstatuar se vetëm 16 për qind e tyre janë zbatuar. Madje veç auditit të brendshëm, drejtuesit e Bankës nuk kanë zbatuar as rekomandimet e KLSH-së, veçanërisht atë për të arkëtuar penalitetet për vonesën nga kompania që po riparon, godinën qëndrore të bankës.  Por përtej këtyre fakteve, mbi fushën financiare, në fund raporti i KLSH vëren se edhe Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së shqipërisë është në pajtueshmëri të dyshimtë me ligjin, pasi një pjesë e antarëve janë njëkohësisht edhe në borde apo këshilla të tjerë, përfshirë atyre prane bizneseve private.

Marrë nga "Top Channel"

Redaksia Online
(Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?