Ikën Detar Hysi, rokadë avokatësh në GJKKO për Laert Haxhiun! Caktohen dy të tjerë, shtyhet seanca

2 Nëntor 2023, 12:40| Përditesimi: 2 Nëntor 2023, 14:44

  • Share

Procesi ndaj Laert Haxhiut në Gjykatën e Posaçme në Tiranë, po kalon në një rokadë avokatësh, pas dorëheqjes së mbrojtësit të tij ligjor Detar Hysi ndërkohë që i pandehuri ndodhet i arrestuar në Greqi. Në seancën e të enjtes, Gjykata e Posaçme caktoi 2 avokatë të tjerë kryesisht për Laert Haxhiun, dhe vendosi revokimin e avokates Pranvera Doçi të caktuar më herët nga shteti.

Avokatët e caktuar nga shteti do të jenë Artan Simoni dhe Edvis Gorishti, ndërkohë që mbrojtësja e caktuar më parë, Pranvera Doçi tha se për shkak të një fatkeqësie familjare, nuk mund ta ndiqte procesin pasi edhe dosja është voluminoze.

Ndërkohë, avokati Detar Hysit i cili ka mbrojtur deri tani rivalin e Aldo Bares, me prokurë të posaçme nga familjarë, është penalizuar pasi dorëheqja e tij nuk po i pranohet. Mosparaqitja e tij këtë të mërkurë në seancë, u shoqërua me ndëshkimin administrativ prej 5 mijë lekësh të rinj.

Në këtë proces në GJKKO, Haxhiu akuzohet për vrasjen e mbetur në tentativë të Xhulio Shkurtit, dhe vrasjen e Zamir Latifit dhe Jurgen Hoxhës, në masakrën e Lushnjes në nëntor 2017 si dhe ekzekutimin e mbetur në tentativë të shtetasve Marius Xhepexhiu dhe Bujar Turku”. Gjyqi u shty për datën 17 nëntor në orën 11:00 ndërsa ka mbetur për tu pyetur edhe një dëshmitar nga prokuroria dhe më pas do jetë radha e dëshmitarëve të mbrojtjes.

Laert Haxhiu ndodhet i arrestuar në Greqi pasi u kap disa muaj më parë në Janinë ndërkohë që po hetohet edhe në një dosje të re nga SPAK, pas dëshmisë së Artan Tafanit, i cili zbardhi 6 vrasje, pesë atentate me eksploziv dhe 16 vepra penale në total.

M.Q.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?