Ish gjenerali serb, Ratko Mlladiq

Gjyqi në Hagë, ish-gjenerali serb Mlladiq thotë se ka punuar 'me ndershmëri' në paqe dhe në luftë

26 Gusht 2020, 22:33| Përditesimi: 26 Gusht 2020, 22:42

  • Share

Ish-udhëheqësi ushtarak i serbëve të Bosnjës, Ratko Mlladiq, iu adresua të mërkurën Gjykatës në Hagë, ku u zhvillua dita e dytë dhe e fundit e seancës dëgjimore për një apel kundër dënimit të tij me burgim të përjetshëm.

Mlladiq është dënuar në vitin 2017 për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte, të kryera gjatë luftës në Bosnje, më 1992-95.

Krimet përfshijnë Masakrën e Srebrenicës, më 1995, në të cilën forcat serbe të Bosnjës kanë vrarë mbi 8  000 burra dhe djem myslimanë.

“Srebrenica është çelësi i këtij gjyqi. Dikur ishte një qytet minierash, ku është nxjerrë ar dhe plumb. Në Srebrenicë, me sa di unë, në kohën e ish-Jugosllavisë, nuk ka pasur para-ushtarakë, nuk ka pasur ushtri. Dhe, si oficer, unë nuk kam hyrë kurrë në Srebrenicë, vetëm gjatë kësaj lufte, as në Zhepë, as në Gorazhde”, tha Mlladiq në përfundim të procesit të apelit.

Atij iu lejua dhjetë minuta kohë për t’iu drejtuar Dhomës së Apelit, megjithëse ai kërkoi që ankesa të zgjaste 31 minuta, por kjo u refuzua.

Gjatë fjalimit të tij, Mlladiq tha se nuk po e mbron veten, por patriotët e tjerë, shkruan REL.

“Unë nuk e mbroj veten, unë jam njeri që për gjithë jetën ka qenë ushtar profesionist. Kam punuar me ndershmëri në paqe dhe në luftë, në përputhje me ligjet e vendit tim, i cili u shkatërrua nga pakti i NATO-s”, tha Mlladiq.

Ai tha se nuk është shenjtor, por një njeri i thjeshtë dhe shtoi se fati e ka çuar të mbrojë shtetin e tij. “Ratko Mlladiq nuk e filloi luftën. Ai nuk e bëri planin për të sulmuar Jugosllavinë. Kjo aktakuzë ka rënë në ujë”, tha Mlladiq.

Prokurori Laurel Baig u kërkoi gjyqtarëve në Hagë që ta mbajnë në fuqi dënimin e Mlladiqit, duke thënë se ai “ka qenë përgjegjës për operacionin e Srebrenicës”. “Srebrenica ka qenë operacion i Mlladiqit”, tha Baig.

Një ditë më herët, avokati i Mlladiqit, Dragan Ivetiq, i tha Gjykatës për Krime Lufte në Hagë se Mlladiq nuk është mendërisht i aftë për të marrë pjesë në seancën e apelit.

“Të dënosh ose procedosh penalisht kundër dikujt që është i paaftë të dalë në gjyq, është një mohim i procesit të duhur”, tha Ivetiq. Seanca dëgjimore vazhdoi pavarësisht kundërshtimeve të Ivetiqit.

Komento

Komente

  • Poko: 27/08/2020 08:22

    Denim me vdekje bashk me gruan e tij te gjith Kan ber krime edhe vajza e tij ka ber vrasje serial ne bosnje pastaj vrau vetem.

    Përgjigju
  • shqipo: 27/08/2020 06:16

    nuk eshhste i afte menderisht?! po ja te shohim mbase i vijne mendte ne burg ... ka kohe pafundesisht do i vijne nje dite ... dhe e bejme prape gjyqin dac ketu poshte a aty lart ...

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni protestat e dhunshme të Rithemelimit tek Bashkia?