Kosova & Rajoni

Gjykata Speciale miraton kërkesën e Thaçit! Ish-presidenti mbrohet nga avokati që liroi gjeneralin e famshëm kroat, Ante Gotovina!

25 Maj 2021, 15:13| Përditesimi: 25 Maj 2021, 15:23

  • Share

Kërkesa e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, përpara gjyqtarit të Procedurës Paraprake për të zëvendësuar avokatin mbrojtës është pranuar ditën e sotme. Thaçi në vend të David Hooper do të ketë si mbrojtës kryesor Gregory W. Kehoe.

Kehoe ka qenë avokat i gjeneralit kroat, Ante Gotovina, para Tribunalit të Hagës, i cili ka qenë i akuzuar për krime kundër serbëve gjatë operacionit ushtarak-policor kroat "Stuhia" më 1995, gjykim në të cilin ai u shpall i pafajshëm.

Kehoe ka më shumë se 30 vjet përvojë pune, ku për 20 vite ka shërbyer si prokuror në Departamentin e Drejtësisë të SHBA-së. Kehoe gjithashtu drejtoi ekipin e avokatëve dhe hetuesve që këshilluan Tribunalin Special të Irakut, një gjykatë e përkohshme, e formuar për të ndjekur penalisht ish-liderin irakian, Saddam Hussein dhe bashkëpunëtorët e regjimit të tij.

Në vendimin e gjykatësit Guillou, avokati Hooper u urdhërua që t'i sigurojë të gjithë ndihmën e nevojshme avokatit të ri si dhe të vazhdojë të respektojë kodin e sjelljes profesionale, pas përfundimit të funksionit si avokat kryesor i ekipit mbrojtës të Thaçit.

Tanimë Thaçi përfaqësohet nga katër ndihmës avokatë të tjerë - Dastid Pallaska, Samuel Blom-Cooper, Pierre-Richard Prosper dhe Sophie Menegon.

Më 20 maj, ish-presidenti Thaçi e kishte parashtruar kërkesën për ndryshim në ekipin e tij mbrojtës.

Në tetor të vitit 2020, Gjykata Speciale për hetimin e krimeve të kryera gjatë luftës së Kosovës, kishte konfirmuar aktakuzën ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, nën dyshime për kryerjen e krimeve të luftës në Kosovë në 1998 dhe 1999 dhe krimeve kundër njerëzimit. Të gjithë ata janë në paraburgim në Hagë që nga nëntori i vitit të kaluar.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?