Protesta e qytetarëve moldavë

Gjykata shpall ‘antikushtetuese’ partinë ruse në Moldavi pas protestave masive të qytetarëve

19 Qershor 2023, 16:22| Përditesimi: 19 Qershor 2023, 16:26

  • Share

Gjykata Kushtetuese e Moldavisë e shpalli "jokushtetuese" një parti pro-ruse pas valës së protestave antiqeveritare të hënën (19 qershor), një vendim që nënkupton se partia ndalohet menjëherë.

Partia Shor (e njohur gjithashtu si Șor), e kryesuar nga biznesmeni në mërgim Ilan Shor, ka udhëhequr protesta prej muajsh në vendin e vogël në kufi me Ukrainën. Shor, i cili jeton në Izrael, është akuzuar nga Perëndimi dhe Kishinau për përpjekje për të destabilizuar Moldavinë. Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë vendosur sanksione ndaj tij.

Sipas vendimit të gjykatës, partia konsiderohet e shpërbërë nga momenti i shpalljes së vendimit. Ministria e Drejtësisë e Moldavisë do të krijojë një komision të posaçëm për të përfunduar të gjitha procedurat ligjore për likuidimin e partisë.

Ligjvënësit nga partia do të ruajnë mandatet e tyre në parlamentin e Moldavisë si të pavarur, pa të drejtë t'u bashkohen fraksioneve të tjera parlamentare.

Shor nuk komentoi menjëherë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, por nënkryetarja e partisë, Marina Tauber, dënoi procedurat gjyqësore.

“Ne do të vijmë në pushtet me ekipin tonë. Për ne ky proces i turpshëm është një përvojë”, tha ajo. “Qytetarët duhet të kenë të drejtën e zgjedhjes së lirë. Skuadra jonë do të luftojë për gjithçka të mirë për Moldavinë.”

Shor ka mohuar më parë se protestat janë pjesë e përpjekjeve për të destabilizuar Moldavinë ose pjesë e një kërcënimi rus dhe ka akuzuar Sandu se e ka çuar Moldavinë drejt falimentimit.

Manjatit të biznesit iu rrit dënimi në mungesë muajin e kaluar në 15 vjet burg në lidhje me vjedhjen e 1 miliard dollarëve nga bankat moldave në 2014-2015, ekuivalente me një të tetën e prodhimit vjetor kombëtar. Shor kishte sanksione të vendosura ndaj tij nga SHBA vitin e kaluar për lidhje me Moskën.

B.V/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?