Kronikë

Gjykata Kushtetuese rrëzon padinë e ndërtuesve, mbetet në fuqi taksimi për strehimin social

29 Prill 2021, 09:25| Përditesimi: 30 Prill 2021, 09:39

  • Share

Një tjetër vendim i rëndësishëm nga Gjykata Kushtetuese. Është rrëzuar sot kërkesën e Shoqatës së Ndërtuesve të Shqipërisë, e cila kërkoi shfuqizim të vendimit të marrë nga Bashkia e Tiranës për strehimin social, kërkesa e dërguar në kushtetuese nga ndërtuesit prej muajsh.

Bashkia e Tiranës kishte vendosur, duke marrë shkas nga ligji “Për strehimin social”, se çdo subjekt privat që aplikon për leje zhvillimi dhe ndërtimi për ndërtime me sipërfaqe ndërtimore banimi mbi 2000 meta katrorë, siguron kalimin pa shpërblim të të paktën të 3% të sipërfaqes funksionale, me kushte strehimi të përshtatshme në favor të fondit publik të banesave sociale.

Për shkak se ligji ka hyrë në fuqi që në 30 nëntor të vitit 2018 atëherë ky projektvendim parashikon që të gjitha ndërtimet e reja që janë bërë që nga ajo datë të vënë në dispozicion sipërfaqen e banimit që parashikon ligji. Sipas këtij vendimi pjesa prej 3 për qind që do të kalojë në favor të Bashkisë së Tiranës do të jetë pjesa takuese e investitorit pa cenuar kështu pjesën takuese të pronarëve të truallit.

Këshilli Bashkiak i Tiranës miratoi më 25 tetor të vitit të kaluar vendimin “Për kontributin e sektorit privat në krijimin e fondit të banesave sociale që kalojnë në pronësitë Bashkisë Tiranë nga ndërtimet e reja”, i cili parashikon që çdo ndërtues që zhvillon një pronë në Tiranë duhet të japë në këmbim për strehim social 3% të sipërfaqes totale të ndërtimit që ka kryer. Por shoqata e Ndërtuesve nuk ishte dakord me këtë vendim, ndërsa çështjen e çoi në Kushtetuese. Nga ana tjetër kjo e fundit ka rrëzuar kërkesën e shoqatës, pasi konstatoi mungesën e legjitimimit në drejtim të përfaqësimit të kërkueses në Gjykatën Kushtetuese.

Njoftimi i plotë i Gjykatës Kushtetuese: 

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë mori në shqyrtim në seancat plenare publike të zhvilluara në datat 15.04.2021, 21.04.2021 dhe 28.04.2021 çështjen me:

Kërkuese: Shoqata e Ndërtuesve të Shqipërisë

Objekti:  Shfuqizimi si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë i nenit 19, të ligjit nr. 22/2018 “Për strehimin social”.
Pezullimi i zbatimit të nenit 19, të ligjit nr. 22/2018 “Për strehimin social”, deri në hyrjen në fuqi të vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Në përfundim të shqyrtimit, Gjykata Kushtetuese konstatoi mungesën e legjitimimit në drejtim të përfaqësimit të kërkueses në Gjykatën Kushtetuese dhe për këtë arsye,

VENDOSI:

Rrëzimin e kërkesës.

Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar’. 

M.Q.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?