Gjykata Kushtetuese

Gjykata Kushtetuese publikon bilancin për vitin 2022: Janë marrë 238 vendime, ‘përplasja’ mes Kuvendit dhe ish presidentit Meta, çështja më e rëndësishme

13 Janar 2023, 16:45| Përditesimi: 13 Janar 2023, 18:01

  • Share

Gjykata Kushtetuese ka bërë një bilanc të veprimtarisë së saj gjatë vitit 2022, duke theksuar se ka pasur një rritje të numrit të kërkesave që mbërrijnë për shqyrtim. Një njoftimin e publikuar, bëhet me dije se gjatë vitit 2022 janë regjistruar 291 kërkesa në total për t’u shqyrtuar. Mes tyre ka pasur edhe kërkesa të bëra nga deputetët, organizatat dhe gjykatat e juridiksionit të zakonshëm.

“Gjatë këtij viti janë paraqitur dhe regjistruar 291 kërkesa. Gjithashtu, janë marrë në shqyrtim edhe 36 çështje të mbartura nga viti 2021 (gjithsej 327), përqindja më e madhe e të cilave, përkatësisht 84 %, i përket ankimit kushtetues individual, kurse për pjesën tjetër të kërkesave (rreth 16%), Gjykata Kushtetuese është vënë në lëvizje nga deputetët, gjykatat e juridiksionit të zakonshëm (kontrolli incidental), organizatat etj”-thuhet në njoftim.

Gjatë ktij viti që kaloi, Gjykata Kushtetuese ka marrë 238 vendime, nga të cilat 195 janë vendime moskalimi dhe 43 janë vendime përfundimtare. Për sa u përket vendimeve përfundimtare, për 14 çështje të shqyrtuara (33%) është vendosur pranimi i kërkesës; për 9 çështje të shqyrtuara (21%) është vendosur pranimi pjesërisht i kërkesës; dhe për 20 çështje të shqyrtuara (46%) është vendosur rrëzimi i kërkesës.

Mes çështjeve më të rëndësishme për të cilat gjykata Kushtetuese ka dhënë vendimin, ka qenë ajo e ‘përplasjes’ mes Kuvendit dhe Presidentit, ku kërkohej shkarkimi i këtij të fundit. Në njoftim theksohet se gjykata kishte përcaktuar 4 kriteret që duheshin faktuar për të përcaktuar atë që Kuvendi e konsideronte si ‘shkelje të rëndë’ nga Presidenti i Republikës asokohe, Ilir Meta. Në vendimin e publikuar në 16 shkurt të vitit 2022, bëhej me dije se nuk kishte pasur shkelje të rënda të Kushtetutës nga Meta, për të sjellë shkarkimin e tij nga posti i presidentit.

“Rëndësia e këtij vendimi qëndron në faktin që, për herë të parë, Gjykata përcaktoi katër kriteret që duhet të vërtetohen për ta konsideruar “shkeljen e rëndë” të kryer nga Presidenti si shkak për shkarkimin nga detyra të tij, sipas parashikimit të nenit 90 të Kushtetutës. Gjithashtu, Gjykata, duke kontrolluar procedurën e ndjekur nga Kuvendi në procesin impeachment, pati rastin të shprehej rreth standardeve kushtetuese të procesit të rregullt ligjor që i garantohen Presidentit. Në kuptim të analizës së legjitimimit të Kuvendit, Gjykata u shpreh për parimin e vazhdimësisë institucionale, si dhe për momentin e konstituimit të Kuvendit, zëvendësimin e deputetëve, numrin e përgjithshëm të deputetëve, mungesën e vendimeve të organeve kompetente për të deklaruar parregullsinë ose pavlefshmërinë e zëvendësimit të mandateve dhe mundësinë e kësaj legjislature për të arritur kuorumet e nevojshme, në drejtim të vlefshmërisë së ligjeve dhe vendimeve të miratuara( vendimi nr. 1, datë 16.02.2022)”- theksohet në njoftimin e publikuar nga Gjykata Kushtetuese.

Me arsyetimin se veprimet e Metës nuk përbënin shkelje të Kushtetutës, Gjykata Kushtetuese rrëzoi në këtë mënyrë vendimin e marrë nga Kuvendi i Shqipërisë për shkarkimin e Metës nga posti i presidentit në datë 9 qershor të vitit 2021.

B.V/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Propozimi i PS, a na duhet një reformë e re anti-korrupsion?