Gjykata e Lartë rrëzon rekursin e Ahmetajt për pasuritë! Kërkoi heqjen e sekuestros për apartamentin 167 m2 e zhbllokimin e dy llogarive

8 Dhjetor 2023, 11:51| Përditesimi: 8 Dhjetor 2023, 15:32

  • Share

Gjykata e Lartë vendosi sot (8 dhjetor 2023) mospranimin e rekursit të ish-zv.kryeministrit Arben Ahmetaj kundër sekuestrimit të tri pasurive nga SPAK, në kuadër të hetimeve për çështjen e incineratorëve.

Përmes avokatëve, ish-zyrtari i lartë që ndodhet në arrati nga korriku i këtij viti, kishte kërkuar në Gjykatën e Lartë rrëzimin e vendimeve të sekuestrimit për një apartament 167 metër katrorë në rrugën “Reshit Çollaku” në Tiranë, dhe dy llogari bankare, njëra 8600 euro dhe tjetra 115 mijë euro në emër të tij.

Pasi ka shqyrtuar kërkesën e avokatëve të Ahmetajt, gjykata e lartë vendosi mospranimin e rekursit. Ish-ministri i Financave akuzohet nga SPAK për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie në kuadër të hetimeve për incineratorët e Fierit dhe Elbasanit.

Ahmetaj u largua nga Shqipëria para se të firmosej urdhër-arresti dhe ende nuk behet me dije vendodhja e tij. Ai është shpallur në kërkim ndërkombëtar prej 24 korrikut 2023, pasi akuzohet për “mosdeklarim, deklarim të rremë dhe fshehje të pasurisë”, vetëm dhe në bashkëpunim, “Korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë” në gjashtë raste, “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Ndërkohë më 7 dhjetor 2023 Prokuroria e Posaçme çoi në GJKKO dosjen në ngarkim të Arben Ahmetajt lidhur me privatizimin e ish-furrës së bukës. Ndaj Ahmetajt është ngritur akuza për veprën penale të shpërdorimit të detyrës në vlerë dëmi rreth 7 miliard lekë, teksa ish-numri dy i qeverisë ndodhet prej muajsh në kërkim ndërkombëtar për inceneratorin e Elbasanit dhe Tiranës dhe pasurinë e pajistifikuar.

S.G/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Tragjedia në Shkodër, a duhet gratë të denoncojnë çdo formë dhune?