Në foto 5 personat e dënuar për ngjarjen

Kronikë

Gjykata e Apelit mbyll në qeli 5 personat e vënë nën akuzë për përdhunim e 15-vjeçares në Mirditë, prokuroria në pritje të ekspertizës mjekësore

2 Korrik 2021, 09:42| Përditesimi: 2 Korrik 2021, 09:47

  • Share

Gjykata e Apelit në Shkodër ka lënë në fuqi masën e sigurisë "Arrest në burg", për 5 personat e vënë nën akuzë për përdhunimin e një 15-vjeçare në Tarazh të Mirditës, rast i cili u zbulua në muajin maj të këtij viti. Artan Kaçorri, Albert Molla, Ermal Tarazhi, Nikë Lleshi dhe 17-vjeçari me iniciale A.Gj, kishin kërkuar në apel ndryshimin e masës së sigurisë të vendosur nga Gjykata e Lezhës me datë 20 maj, por pas shqyrtimit të dosjes hetimore, trupa gjykuese e refuzoi diçka të tillë.

Sipas burimeve, prokuroria është në pritje të përgjigjes së ekspertizës mjekësore, e cila do të vërtetojë nëse 5 personat kanë abuzuar apo jo seksualisht me të miturën, ndërsa të arrestuarit e kanë mohuar diçka të tillë. Artan Kaçorri, Albert Molla, Ermal Tarazhi, Nikë Lleshi dhe shtetasi me iniciale A.Gj u arrestuan nga policia, pas denoncimit të 15-vjeçares, e cila pretendon se përmes shantazhit është përdhunuar nga 5 personat.

Referuar dëshmisë së vajzës, rezulton se personi i parë që ka abuzuar me të miturën është 32-vjeçari Artan Kaçorri. Ky i fundit kishte patur lidhje me 15-vjeçaren dhe në muajin mars madje i kishte blere dhe një telefon për të komunikuar me të. Kaçorri kishte arritur që të mashtronte të miturën e ta merrte në makinë e më pas ka abuzuar seksualisht me të, duke i bërë dhe video e foto intime të cilat janë shpërndare dhe tek 4 personat e tjerë, të afërm me njëri tjetrin. Përmes videove dhe fotove, 5 personat kanë arritur ta shantazhojnë të miturën dhe ta detyrojnë që të kryej marrëdhënie seksuale me ta në mënyre të përsëritur.

Pas disa kohësh shqetësimin e vajzës kishin arritur ta kuptonin edhe familjarët e saj, ndërsa përballë kërcënimeve të vazhdueshme edhe e mitura më në fund vendosi të rrëfejë atë se çfarë i kishte ndodhur. Si prove ajo ka paraqitur telefonin e mesazhet dhe videot e fotove shantazhuese, që i kishin dërguar 5 personat, ndërsa ndaj tyre është ngritur akuza “Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me dhunë me të mitur të moshës 14-18 vjeç”.

Kjo ngjarje tronditi mbarë opinionin publik dhe u shoqërua me protesta në disa qytete të vendit, ku aktivist dhe qytetar kërkonin parandalimin e ngjarjeve të tilla si dhe ndëshkimin e autoreve.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?