Kronikë

Gjonaj urdhër drejtorëve të burgjeve: Bllokoni kriminelët për fushatë

5 Prill 2021, 10:50| Përditesimi: 5 Prill 2021, 12:27

  • Share

TIRANE - Asnjë person që ndodhet në qeli nuk duhet të mendojë të organizojë situata që cënojnë sigurinë e fushatës elektorale në Shqipëri. Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, në një mbledhje urgjente thirrur prej saj, me titullarët e burgjeve në vend, urdhëroi që ku ka indicie, të mos lejohet komunikimi i subjekteve të ndryshëm kriminalë me njëri-tjetrin, të dënuar apo paraburgosur, që mund të sjellin shqetësim gjatë fushatës.

Salla Operacionale e Monitorimit është funksionale 24 orë – tha Gjonaj – duke shprehur rëndësinë që të evidentohet çdo shkelje që mund të ndodhë, përgjegjësinë për të cilat do e kenë drejtuesit e burgut. Ministrja kërkoi zbatimin me përpikmëri të urdhrit që prej një viti i ka pezulluar lejet e veçanta.

Gjonaj theksoi se është e ndaluar që forcat policore të burgjeve të angazhohen në fushatë duke u kujtuar se detyra e vetme e drejtorëve të burgjeve është çështja e sigurisë në institucione.

Thuajse në të gjitha burgjet do të ketë qendra votimi dhe ministrja Gjonaj, e cila kandidon në këto zgjedhje për Partinë Socialiste, kërkoi që të burgosurit të pajisen me mjete identifikimi.

Gjonaj tha se edhe punonjësit e policisë së Burgjeve do përfshihen në prioritet e vaksinimit si efektivët e Policisë së Shtetit, dhe se ajo nuk do të tolerojë infektimet në grup të të burgosurve, pasi do të thotë se masat anti-COVID janë shkelur.

B.K.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Sipas jush për kë do të votonte diaspora?