Deputeti i PS, Damian Gjiknuri, në rolin e bashkëkryetarit të Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore ka mbërritur ditën e sotme në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në kuadër të një delegacioni të Kuvendit të Shqipërisë.
Gjiknuri ishte i shoqëruar nga ambasadori i Shqipërisë në SHBA, Ervin Bushati dhe zhvilloi një takim me kongresmenin Jim Himes.
“Nisur nga interesimi i tij rreth votës së diasporës, e informova kongresmenin në lidhje me ecurinë e reformës zgjedhore në Shqipëri dhe garantimin në ligj të kësaj të drejte për shtetasit shqiptarë që jetojnë jashtë territorit tonë. Gjithashtu e njoha me përpjekjet e përbashkëta për të mbushur çdo boshllëk legjislativ në lidhje me këtë të drejtë të sanksionuar në Kodin Zgjedhor. Me rëndësi thelbësore miratimi i një metode votimi nga jashtë që siguron integritet dhe llogaridhënie administrative për këtë proces sa të rëndësishëm aq edhe sfidues. U angazhova të informoj në vijimësi Kongresin në lidhje me ecurinë e këtij procesi edhe në kuadër të interesimit të shumë organizatave dhe qytetarëve shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, shkruan Gjiknuri në një postim në Facebook.
Po ashtu, bashkë me disa deputetë të tjerë të Kuvendit ai takoi kongresmenin Peter Sessions.
K.M/ReportTv.al“Diskutuam tema të çështjeve që lidhen me sigurinë në rajon ashtu sikurse me zhvillimet më të fundit në rrafshin e sigurisë botërore. Me interes edhe mesazhet kyçe që pritet të përcillen ditën e nesërme në konferencën për sigurinë dhe sfidat e rajonit tonë, e cila do të zhvillojë punimet në mjediset e Kongresit të Shteteve të Bashkuara!”, nënvizon Gjiknuri.