Ndërmarrje në Gjermani

Gjermania mbetet tërheqëse për investitorët e huaj

28 Maj 2023, 12:45| Përditesimi: 28 Maj 2023, 12:46

  • Share

Gjermania vazhdon të mbetet tërheqëse për të investuar. Furnizimi me energji dhe personeli i specializuar nuk përbëjnë problem, problemi qëndron vetëm tek mungesa e sipërfaqeve të tokës.

Interesimi në rritje i firmave nga SHBA, Britania e Madhe dhe Turqia vazhdon t'i mbajë në nivel të qëndrueshëm investimet e huaja në Gjermani, pavarësisht nga kriza energjetike.

Siç tregojnë të dhënat e shoqatës federale për nxitjen e ekonomisë "Germany Trade & Invest" (GTAI) vitin e kaluar  në Gjermani u regjistruan 1.783 hapje ndërmarrjesh të reja dhe zgjerime ndërmarrjesh ekzistuese nga vendet e tjera. Kjo shifër është 23 më pak se në vitin 2021, por 101 më shumë se në vitin 2020.

"Duke pasur parasysh kushtet e vështira si lufta në Ukrainë, kriza energjetike dhe zhvillimet pas Coronës, mund të thuash se ky është sukses,” tha të hënën për agjencinë Reuter, drejtori ekzekutiv i GTAI, Robert Hermann.

"Gjermania mbetet një vend tërheqës për investimet e huaja”. Kjo ka të bëjë edhe me faktin se firmat e huaja investojnë më shumë në teknologjitë e të ardhmes, si për shembull në fushën e gjysmëpërçuesve, prodhimin dhe riciklimin e baterive. Rreth 15 përqind e firmave ndërkombëtare duan të prodhojnë në Gjermani ose të merren me kërkime dhe zhvillimin.

Investitori kryesor mbetet SHBA, që ka 279 projekte në Gjerman. "Kjo shifër është e konsiderueshme, duke pasur parasysh që në SHBA ka nxitje të madhe të investimeve në vend nëpërmjet të ashtuquajturit ligj për reduktimin e inflacionit (Inflation Reduction Act, IRA)", tha Hermann. Në vend të dytë pason Zvicra me 208 projekte dhe Britania e Madhe me 170 projekte. "Të dy vendet nuk janë vende anëtare të BE, por duan të kenë një këmbë në BE dhe shpesh vendosin për Gjermaninë,” thotë drejtori ekzekutiv.

"Pandemia e Coronës ka pasur sigurisht ndikim,” thotë Hermann. Udhëtime biznesi nuk ka qenë e mundur të bëhen për shkak të politikës së ashpër Zero-Covid të Republikës Popullore të Kinës, gjë që ka vështirësuar arritjen e marrëveshjeve, i ka shtyrë ato ose i ka penguar krejt. Në vend të pestë është Turqia me 139 projekte, një shifër rekord.

Numri i vendeve të reja të punës që priten të hapen është rritur me rreth dhjetë përqind, duke arritur në 33.500. Investimet e shpallura kanë shkuar në 25 miliardë euro, prej të cilave pjesa më e madhe ka të bëjë me angazhimin e prodhuesit amerikan të gjysmëpërçuesve Intel. Por edhe pa këtë, me tetë miliardë euro investime rezultati i arritur në vitin 2021 do të ishte kaluar me një miliardë euro. "Kjo është një shifër e jashtëzakonshme,” thotë Hermann.

Energjitë e riciklueshme faktor për zgjedhjen e vendit për të investuar

Në procesin e tërheqjes së investitorëve gjithnjë e më e rëndësishme po bëhet disponueshmëria e energjive të renovueshme, si për shembull e energjisë së prodhuar nga era ose e energjisë të prodhuar nga elementët fotovoltaikë. "Si për Microsoft, Apple apo firma të vogla që ofrojnë qendra të dhënash ose edhe për prodhuesit e baterive si Northvolt – për të gjithë ata ky është një argument i rëndësishëm", thotë eksperti i GTAI, Achim Hartig.

"Pasja e energjive të renovueshme është kthyer ndërkohë vërtet në avantazh për Gjermaninë.” Pjesa që zë energjia e renovueshme në konsumin bruto të energjisë u rrit në vitin 2022 në 46 përqind dhe deri në vitin 2030 pritet të arrijë në 80 përqind.

Mungesë hapësirash për ndërtimin e ndërmarrjeve

Por si dizavantazh po shfaqet ndërkohë mungesa e hapësirave për ndërtimin e ndërmarrjeve. "Disponueshmëria e hapësirave përbën problem,” thotë drejtori ekzekutiv Hermann. Për investitorët e mëdhenj si Intel ose Tesla nevojiten shpesh sipërfaqe prej 100 hektarësh e më shumë, por hapësira të tilla mezi gjenden sidomos në landet perëndimore të Gjermanisë. Kurse mungesa e forcave të specializuara nuk është pengesë për hapjen e ndërmarrjeve të huaja në Gjermani. "Me këtë problem luftojnë të gjitha vendet europiane", thotë eksperti i GTAI, Hartig./DW

G.MO/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Minimumi jetik në vend 184 euro për person, a është i mjaftueshëm?