Bota

Gjendje katastrofe në Pakistan, 1/3 e vendit nën ujë! Mbi 1200 viktima, përmbytjet shkatërrojnë 888 ndërtesa shëndetësore

2 Shtator 2022, 21:34| Përditesimi: 2 Shtator 2022, 21:39

  • Share

Pakistani vijon të përballet me një katastrofë natyrore nga përmbytjet, që kanë shkatërruar një sipërfaqe të madhe në vend. Ekipet e shpëtimit të mbështetur nga helikopterë ushtarakë dhe anije vijojnë operacionet për evakuimin e miliona personave nga fshatrat e largëta në jug të Pakistanit, teksa rajoni po bëhet gati për vërshime të tjera.

Pothuajse 20.000 metër kub ujë për sekondë tani po bie në pjesën veriore të shtetit dhe së shpejti shirat dhe vërshimet do të godasin qytetin e madh, Sind, tha Agjencia për Menaxhimin e Fatkeqësive. Numri i viktimave nga vërshimet në Pakistan i ka kaluar 1200 dhe ky numër pritet të rritet.

Ekspertët shëndetësorë kanë paralajmëruar për mundësinë e shpërthimit të sëmundjeve ngjitëse në zonat e prekura nga përmbytjet.

Organizata Botërore e Shëndetësisë tha se vërshimet kanë dëmtuar të paktën 888 ndërtesa shëndetësore, duke penguar përgjigjen e shtetit ndaj krizës të shkaktuar nga fatkeqësitë natyrore.

Qeveria pakistaneze tha se mbi 33 milionë persona – apo 15 për qind e popullsisë prej 220 milionë banorësh – janë prekur nga përmbytjet që kanë shkatërruar shtëpi, biznese, infrastrukturë, rrugë dhe po ashtu edhe të mbjellat. Disa vlerësime thonë se një e treta e shtetit aktualisht është nën ujë.

Kombet e Bashkuara kanë bërë thirrje për 160 milionë dollarë për të ndihmuar për “këtë fatkeqësi të paprecedent klimatike”. Ndërkaq, OBSH-ja ka thënë se mbi 6.4 milionë persona kanë nevojë për ndihmë urgjente humanitare.

D.GJ//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Sipas jush për kë do të votonte diaspora?