Kronikë

Në 2020, 182 aksidente në punë, 36 persona humbën jetën! Eksperti: Punëtorët s'protestojnë me 1 Maj, kanë frikë se humbasin vendin e punës

1 Maj 2021, 12:52| Përditesimi: 1 Maj 2021, 14:49

  • Share

1 maji, dita ndërkombëtare e punëtorëve, duhet të jetë një ditë reflektimi për të ngritur zërin ndaj padrejtësive në vendin e punës. Në Shqipëri, gjatë vitit të kaluar 182 persona u aksidentuan në punë, ku 36 prej tyre humbën jetën. Eksperti për çështjet e punësimit dhe karrierës Erion Muça, liston arsyet se përse nuk manifestohet 

“Fatkeqësisht vërehet që në Shqipëri ka një përpjekje minimale edhe nga vetë punonjësit për të kërkuar të drejtat e tyre pasi niveli i pasigurisë për punën është shumë i lartë, kjo sepse meritokracia dhe hapësirat për punë të reja mungojnë përgjithësisht. Kjo për arsye se vështirësitë për të kërkuar dhe gjetur punë në Shqipëri kanë qenë dhe janë prezente. Për këto arsye sot një i punësuar nuk ka interes për të protestuar apo rebeluar përballë punëdhënësit e tij”, shprehet Muça.

Shkak për këtë mungesë organizimi për të kërkuar respektim të të drejtave në punë, Muça thotë se është edhe mungesa e sindikatave.

“Ne jemi një vend i cili ende sindikatat i ka inekzistente, po ashtu dhe përpjekjen, organizimin dhe bashkëveprimin e punonjësve me njëri tjetrin në mungesë të sindikatave për të kërkuar në mënyrë të bashkuar të drejtat e tyre, nëpërmjet manifestimeve apo protestë në mbrojtje të drejtave të tyre”, pohon eksperti.

Edhe pse mungesa e manifestimeve për këtë çështje të krijon përshtypjen se  punonjësit në Shqipëri respektohen maksimalisht, eksperti i tregon disa nga të drejtat që ju mohohen.

“Të drejtat e punonjësve në vend respektohen në nivel minimal. Kjo sepse sot shumë kompani kanë një orientim drejt përfitimit të të ardhurave në mënyrë të shpejtë duke tejkaluar raportet normale ligjore, parimore dhe morale me punonjësit e tyre dhe duke arritur herë pas here duke arritur që sektorë të ndryshëm të shfrytëzojnë punonjësit e tyre dhe të abuzojnë me liritë e punës. Ne jemi ndër vendet e para në rajon për orët e papaguara në vendin e punës shtesë. Problem tjetër është fakti se gjithmonë ka pasur një pabarazi mes kërkesës dhe ofertës për punë nisur nga formimi dhe kualifikimi. Ne kemi një shifër ku mbi 85% e personave që punojnë në sektorin privat që janë me arsim të lartë nuk punojnë brenda profilit të arsimimit, çka iu vështirëson përparimin në karrierë”, thotë Muça.

Sipas raportit vjetor të Inspektoratit Shtetëror të Punës në vitin 2020, 54% e punonjësve kishin shqetësim mos-pagimin e orëve shtesë apo të punësi në ditë festash. Më pas 24.6% e ankesave kanë qenë për “vonesa në pagë e kontribute”. Po ashtu 77 % e punonjësve të aksidentuar, kanë si shkak kushtet e sigurisë dhe shëndetit në punë, ndërkohë që 72% e aksidenteve me pasojë fatale për jetën kanë ndodhur për këto shkaqe.

 

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Sipas jush për kë do të votonte diaspora?