Kronikë

Gërmimet në Durrës zbulojnë varre mesjetare, arkeologia: Kemi gjetur edhe gjurmët e një dyshemeje që duhet të lidhet me një strukturë ende të panjohur

17 Shtator 2021, 18:43| Përditesimi: 17 Shtator 2021, 18:50

  • Share

Qyteti i Durrësit vazhdon të zbulojë pasuri antike. Së fundmi ekspedita e drejtuar nga Prof. Asoc. Dr. Brikena Shkodra është vendosur në lulishten “1 maj” në lagjen numër 11, ku zbulimet e fundit datojnë në periudhën e mesjetës së vonë.

Në një thellësi prej 60 cm janë zbuluar varre mesjetare, por gjithashtu janë shfaqur edhe shtresat e para të dyshemesë së një ndërtimi, që tani për tani mbetet i panjohur.

"Ne kemi gjetur gjurmët e një dyshemeje që duhet të lidhet me një strukturë ende të panjohur nga ne, por mund të jetë dyshemeja e një oborri, e cila pastaj duke nisur nga thellësia e ulët besoj se lidhet me periudhën e Mesjetës. Ky moment shfrytëzimi i hapësirës është prerë për vendosjen e një varreze. Kemi 4 varre të identifikuara deri tani që përsëri i përkasin periudhës mesjetare", u shpreh Shkodra.

Gërmimet do të vazhdojnë rreth një muaj, ndërsa më pas zona do të kthehet në gjendjen fillestare, për të rinisur në të njëjtën pikë vitet e ardhshme.   Kjo është ekspedita e dytë që arkeologia Shkodra po zhvillon në qytetin bregdetar, ndërsa më parë gërmimet ishin përqendruar tek Forumi Bizantin.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A respektohen të drejtat e punëtorëve në Shqipëri?