'Gërdeci'/ Javën e ardhshme, SPAK nis marrjen në pyetje të familjarëve, dëshmitarëve dhe zyrtarëve! Do të thirret për dëshmi edhe Fatmir Mediu

10 Dhjetor 2021, 12:35| Përditesimi: 10 Dhjetor 2021, 16:33

  • Share

SPAK do të rinisë me pyetjet për hetimet për dosjen 'Gërdeci'. Burime për Report Tv bëjnë me dije se duke filluar nga nga java e ardhshme nis pyetja e personave që kanë dijeni për rrethanat e hetimit.

Personave që u është nisur fletëthirrje janë trashëgimtarët e viktimave dhe personat e dëmtuar nga tragjedia. Pjese e ripyetjes do të jenë edhe ish zyrtaret e lartë në periudhën e tragjedisë me 15 mars 2008. Zyrtari i parë që do të merret në pyetje është ish-ministri Mbrojtjes Fatmir Mediu. Ndër familjarët edhe Zamira Durda e cila kërkon që hetimet në Gërdec të behën edhe për korrupsion.

Kujtojmë se vendimit të Apelit të GJKKO për të rikthyer çështjen në hetim, ish-ministri i Mbrojtjes i ka bërë rekurs në Gjykatën e Lartë.  Mediu kërkon prishjen e vendimit pasi sipas tij është antikushtetuese, dhe se për këtë çështje është dhënë njëherë vendim.

Ish ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, dorëzoi më 1 nëntor rekursin në Gjykatën e Lartë ku kundërshton vendimin e Gjykatës së Apelit të Posaçëm  që i hapi rrugë rihetimit dhe gjykimit të Mediut. Avokati Ardian Visha, argumenton se vendimi është antikushtetues. Cenon parimin e gjësë së gjykuar, sa kohë një kërkesë për rigjykim është rrëzuar më herët nga Gjykata e Tiranës dhe Apeli i saj.

Gjykata e Lartë dërgoi në Prokurorinë e Posaçme (SPAK) dosjen arkivore të Gërdecit. Dorëzimi i dosjes vjen pas vendimit të Apelit të GJKKO për të rikthyer për hetim në SPAK dosjen e bujshme të Gërdecit, duke i hapur rrugë edhe  rigjykimit të ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu.

SPAK pritet të kërkojë në GJKKO gjykimin e ish-ministrit dhe po ashtu edhe veprime hetimore shtesë. Hetimet për tragjedinë e 26 te vdekurve e qindra të plagosurve e një dëmi miliarda lekë, janë kryer nga 2008-2009, asokohe nga prokurori e Përgjithshme.

 

K.T.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?