Gent Sejko prej 5 shkurtit me mandat të përfunduar, a do e propozojë Meta edhe për 7 vite? Si e ‘prek’ Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë beteja për shkarkimin e Presidentit

8 Shkurt 2022, 12:04| Përditesimi: 8 Shkurt 2022, 13:53

  • Share

Prej 5 shkurtit 2022, guvernatorit të Bankës së Shqipërisë i ka mbaruar mandati 7-vjeçar. Gent Sejko u emërua Guvernator 5 shkurtin e vitit 2015 nga Kuvendi, bazuar në dekretin e Presidentit të asaj kohe, Bujar Nishani. Emërimi i Sejkos erdhi pas ndërprerjes së mandatit të Ardian Fullanit, i cili u shkarkua nga Këshilli Mbikëqyrës pas arrestimit për vjedhjen në thesarin e shtetit.

Por a do të propozohet sërish Gent Sejko për një mandat të dytë në Bankën e Shqipëri?

Guvernatori duhet të jetë anëtar i Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, dhe kjo është një pikë të cilën Sejko aktualisht e plotëson.

Më 22 dhjetor 2021, Këshilli Mbikëqyrës unanimisht votoi për një mandat tjetër të Sejkos si anëtar, propozim që shkoi në Kuvend dhe u miratua në seancën e 3 shkurtit me 100 vota pro, 6 kundër dhe 4 abstenim.

Neni 44 i ligjit “Për Bankën e Shqipërisë” thotë se Guvernatori zgjidhet nga Kuvendi me propozimin e Presidentit të Republikës. Pra për të vendosur se kush do të jetë guvernator i Bankës Qendrore për 7 vitet e ardhshme duhet të ketë dakordësi mes Presidentit dhe Kuvendit.

E sigurt është, se emri për guvernatorin e ri do të dalë nga lista e anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës. Aktualisht 2 vende janë bosh, pas mbarimit të mandatit 7 vjeçar të anëtarëve Natasha Ahmetaj dhe Tonin Kola. Kandidatët për këto 2 vende janë 17 emra, ku spikasin Natasha Ahmetaj, Anastas Angjeli, Senida Mesi, Edvin Libohova apo Elvin Meka, të gjithë nga fusha e financës dhe ekonomisë, ku vetëm 2 prej tyre do të presin të votohen në Parlament.

Por a do ta pengojë emërimin e guvernatorit ngërçi politik mes mazhorancës dhe kreut të shtetit Ilir Meta që pret vendimin e Gjykatës Kushtetuese për të vulosur ose jo shkarkimin nga Parlamenti, mbetet një pikëpyetje. Në rast ngërçi ligji parashikon që me mbarimin e mandatit, detyrën e merr përkohësisht zv. guvernatorja e parë, që aktualisht është Luljeta Minxhozi.

 

Neni 53

1. Guvernatori vepron si Drejtor i Përgjithshëm Ekzekutiv i Bankës së Shqipërisë, i ngarkuar për mbarëvajtjen e veprimtarisë së përditshme të Bankës së Shqipërisë. Në rast se guvernatori mungon ose është në pamundësi për të vepruar, zëvendësguvernatori i parë vepron në cilësinë e drejtorit të përgjithshëm ekzekutiv të Bankës së Shqipërisë.

 

Anëtarët aktualë të Këshillit Mbikëqyrës të BSH

Z. Gent Sejko, Kryetar

Znj. Luljeta Minxhozi, Zëvendëskryetare/ zv.guvernatore e parë

Znj. Suela Popa, Anëtare

Znj. Edlira Luçi, Anëtare

Z. Ridvan Bode, Anëtar

Z. Artan Hoxha, Anëtar

Znj. Violeta Staka, Anëtar

Natasha Ahmetaj, Anëtar Zv.guvernator i dytë (Pa mandat)

Tonin Kola, Anëtar (I ka mbaruar mandati)

Kandidatët për 2 vakancat në Këshillin Mbikëqyrës të BSH: Natasha Ahmetaj; Anastas Angjeli; Senida Mesi; Edvin Libohova; Indrit Banka; Marta Muço; Elvin Meka; Diana Dervishi; Durim Kraja; Altin Hoti; Mateo Spaho; Rezarta Bitri; Manuela Tandini; Artur Mamadhaj; Emis Çerava; Onorina Jata; Blendi Sena. 

Përbërja e Këshillit Mbikëqyrës të BSH dhe kriteret

Sipas Ligjit për Bankën e Shqipërisë, Këshilli Mbikëqyrës përbëhet nga nëntë anëtarë:

- Guvernatori i Bankës së Shqipërisë

- kryetar i Këshillit Mbikëqyrës

- zëvendësguvernatori i parë i Bankës së Shqipërisë

- zëvendëskryetar i Këshillit Mbikëqyrës

- zëvendësguvernatori i dytë i Bankës së Shqipërisë

- gjashtë anëtarë

 

Afati i qëndrimit në detyrë për çdo anëtar të Këshillit Mbikëqyrës, për guvernatorin dhe zëvendësguvernatorët është shtatë vjet, duke synuar që datat e mbarimit të këtij afati të çdo anëtari të Këshillit Mbikëqyrës të jenë të shpërndara gjatë periudhës shtatëvjeçare.

Kandidatët për anëtarë të Këshillit Mbikëqyrës duhet të jenë persona që gëzojnë ndershmërinë dhe pastërtinë morale, si dhe kanë:

a) arsimin e lartë ekonomik ose juridik

b) përvojë profesionale në çështje financiare dhe bankare

c) kualifikime profesionale të profilit

ç) përvojë pune mbi pesë vjet në administratën publike ose në institucionet financiare dhe bankare

d) të mos kenë pengesa të parashikura në nenin 47 (pengesa si dënime, pjesëmarrje politike gjatë ushtrimit të detyrës, ka borxhe të pashlyera etj).

 

Të gjithë anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës zgjidhen dhe emërohen nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, mbështetur në propozimet e bëra si më poshtë:

a) Pesë anëtarë propozohen nga Kuvendi

b) tre anëtarë propozohen nga Këshilli i Ministrave

c) një anëtar propozohet nga Këshilli Mbikëqyrës.

K.T.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni protestat e dhunshme të Rithemelimit tek Bashkia?