Gaztori

8 Tetor 2023, 11:50| Përditesimi: 8 Tetor 2023, 11:51

  • Share

Dhe pastaj është ai.

Gaztori. Gaztori me pagë deputeti. Kostum e kravatë lidhur.

Ai shërben të njëjtën supë të lodhur “humori” kaps, të ngrohur e ringrohur për të disatën herë.  E gatuan një herë për gjithë vitin, se është i zënë me punë më të mëdha.

Çfarë pune bën? Ja pra aq. Dikur përveç kësaj bënte edhe lëpirësin e liderit. Pastaj të liderit të supozuar. Pastaj të liderit të risupozuar. Pra të atij që kishte më shumë shans të ulte menderen. Në karrige. Rradha.

“Rrufetë godasin lisat e gjatë” tha me sytë e përlotur e zërin e shkërmoqur nga drithërimat e dhimbjes së dëshpërimit, kur Departamenti i Shtetit  shpalli non-grata liderin. Lis i gjatë,  tha.

“Ai është burrë që nuk i dridhet qerpiku” shqiptoi me pasionin e shkulur nga cepthi veriperëndimor i zemrës, teksa puliste sytë per të testuar qerpikun e vet. E kishte fjalën për liderin e supozuar këtë herë. Nderkohë, mbi qepalla përthyhej pa u krisur një rreze drite e bardhë, që kushedi pse kthehej në të kuqërremtë pas përplasjes. Qerpik që nuk dridhet, tha.

Ja rikujtoi vetes me dhunë këtë fakt, si arsye per t’u rikthyer në gjirin e liderit të risupozuar. Supë e ringrohur, prandaj.

Frojdi ka një shpjegim interesant për burrat që adhurimin ndaj liderit e shprehin duke iu referuar cilësive fizike. Qerpiku që nuk dridhet,ose fortësia dhe gjatësia. E lisit.

Gaztori punon edhe kur nuk punon. Shpërndan gazmën, hargalis dynjanë, pa patur nevoje të mendojë. Hic fare, i vjen natyrshëm.

Siç nuk i vjen natyrshem të bëjë deputetin,të shkojë në mbledhjet e komisioneve,të mos mungojë e të flasë në seancat parlamentare,të qëndrojë afër zgjedhësve, të diskutojë çështjet serioze të politikës.

Mos e dhëntë Zoti. Politika është supë që do gatuar çdo ditë-recetë e re.

Gaztori gatuan vetëm një herë në vit. Pastaj ringroh e shpërndan nga një garuzhde çdo ditë. Nën tisin e kuqërremtë të dritës që e rrethon.

Ama me cep të syrit vëzhgon qerratai. Kujt i bie rradha të bëhet lider sot? Që t’i ofrojë hajgaren.

Por befas vë re diçka. Tronditet, humbet sigurinë.

Askush nuk po qesh me hajgaren e tij. Po mirë. Këtë e dinte.

Por…. Për herë të parë vuri re se nuk po qeshte as vetë.

Duhet pak vetgudulisje, mendoi.

M.Q./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?