Gara për Elbasanin/ Gjiknuri-Llatja: Më 14 maj shtrojmë rrugën e zhvillimit të Elbasanit! Opozita po përgatit alibinë e humbjes së radhës

28 Prill 2023, 19:33| Përditesimi: 28 Prill 2023, 20:52

  • Share

 

Sekretari i Përgjithshëm i PS Damian Gjiknuri bashkë me Kryetarin e Bashkisë Gledian Llatja zhvilluan një bashkëbisedim me banorët e lagjes “Beqir Dardha” dhe lagjes “Çlirimi” me të cilët ndanë vizionin për 4 vitet e ardhshme . Gjiknuri që është dhe drejtues politik i qarkut deklaroi se PS dhe kandidati socialist kanë treguar se kanë qëndruar pranë nevojave të qytetarëve.

“Në fakt në 14 maj ne kemi mundësi jo thjesht të rikonfirmojmë Gledin, që jam i sigurtë që ne do ta bëjmë por të shtrojmë rrugën tonë të sigurtë drejt të ardhmes dhe zhvillimit të Elbasanit. 14 maji nuk është thjesht votë për Gledin po është votë për gjithë ekipin politik të Partisë Socialiste që jam i bindur ka qenë një ekip që u ka ndenjur në krah njerëzve dhe së bashku dorë për dore me Elbasanin ne do të shkojmë nga e ardhmja, do të ecim vetëm përpara. Në këto zgjedhje Gledi nuk është vetëm. Se kundërshtarët tanë duan ta portretizojnë këtë garë sikur është një garë thjesht individësh. Vjen ai kundërshtari këtu në Elbasan dhe thotë: s’ka problem se unë e kam garën thjesht me Gledin”, tha ai.

Numri dy i socialistëve komentoi dhe kandidatin përballë, i dërguar i dyshes Berisha-Meta. Gjiknuri u shpreh se lista e këshillit bashkiak të opozitës është e mbushur me eksponentë të Partisë së Ilir Metës. “Vjen ai kundërshtari këtu në Elbasan dhe thotë s’ka problem se unë e kam garën thjesht me Gledin. Nuk u vjen mirë të përfaqësojnë ata dy mjeshtrat e Tiranës, martesën e re Berisha-Meta. Kur vjen këtu ka frikë ta thotë. Kur del në televizor thotë ta çlirojmë Elbasanin nga zgjedhja e Rilindjes, domethënë do çlirojë Elbasanin nga zgjedhja e djemve dhe vajzave tuaj, a thua se janë pushtues këta. Këta janë djem dhe vajzat tuaj. Në vetvete Luçiano ata përfaqëson, Berishën dhe Metën këtu, madje më shumë Metën. Shihni listën e këshillit bashkiak, të gjithë eksponentë të Partisë së Ilir Metës, ka frikë ta thotë ai”, deklaroi ai.

Drejtuesi politik i qarkut Damian Gjiknuri tha se opozita po përgatitet të përgatisë alibinë e radhës për humbjen e sigurt që i pret më 14 maj.

“Mos hidhni votën dëm për këta lloj gënjeshtarësh. Fushatën e kundërshtarit në Elbasan unë e kam përshkruar në tre cikle. Keni dëshmitarë dhe I keni dëgjuar të gjithë. Para disa muajsh thanë Glediani s’do jetë kandidat e kemi mbyllur këtë. Pak më vonë tha: Është mbyllur Elbasani, është shitur, Edi Rama do t’ia lërë Elbasanin PD-së, Luçiano Boçit. Pastaj e panë që ne dolëm në fushatë, filluam të komunikojmë me njerëz, filloi faza e dytë mashtrimi publik dhe personal. A nuk keni takuar njerëz që ju ka thënë do të fus në punë? S’ka mundësi të fusë në punë ai se s’ka mundësi të fitojë. Filloi faza e mashtrimit publik . Filluan me programe bombastike. Doli pa pikë turpi në mes të Elbasanit, mori një të huaj që fliste anglisht dhe tha do hapim 3 mijë vende pune me një investitor të madh. U futëm në internet, investitori nuk figuron fare. Ngaqë i ka zënë paniku dhe të gjitha të dhënat e kanë që nuk do fitojnë dot, do fillojnë akuzat, do na vjedhin, do fillojë presioni. Javën tjetër do të fillojnë akuzat publike do na vjedhin, do na vjedhin. Kjo është thjesht alibie e humbjes”, deklaroi ai.

Gjiknuri theksoi rëndësinë e vijimit të bashkëpunimit mes qeverisë dhe bashkisë për të çuar përpara punët dhe projektet e mëdha strategjike për zhvillimin e Elbasanit.

“Këtu votohen dy modele qeverisje, dy modele politike. Kushdo të shkojë mbrapa me Saliun dhe me Ilirin le ta çojë votën dëm tek Luluçi. Kush do të ecë përpara, ndryshimi i Elbasanit po bëhet i prekshëm. Bashkia do mirëadministrojë taksat, do bëjë investime nëpër lagje siç ka bërë dhe këtu dhe vende të tjera, por projektet e mëdha janë me mbështetjen e qeverisë shqiptare siç po bëhet shëtitorja buzë Shkumbinit, siç po bëhet Automotoparku, siç do rehabilitohet lagjja e Kalasë, 15 mln euro të tjera investime në ujësjellës-kanalizime tani, e shumë e shumë vepra të tjera të cilat bëhen me mbështetjen e qeverisë Rama. Prandaj binomi bashki-qeveri është shumë i rëndësishëm dhe vota në 14 maj është votë edhe për vazhdimin e kësaj mbështetje”, deklaroi numri dy i socialistëve.

Gjiknuri nënvizoi se vota më 14 maj, është dhe konfirmim për politikat sociale të ndërmarra nga qeveria ‘Rama” si rritja e pagave dhe e pensioneve.

“Vota e 14 majit, është edhe një mesazh për politikat e filluara të qeverisë të PS dhe të Edi Ramës. Ne por risim rrogat me qëllim që të rinjtë dhe të rejat të kenë mundësi të punojnë ë këtë administratë, rritja e rrogave në administratë shtetërore do të çojë dhe në rritjen e rrogave në sektorin privat. Do të rritet mirëqenie e qytetarëve. Kjo është një rrugë e sigurt drejt progresit shikoni me pensionistët janë dhënë 16 mijë lekë të reja vetë muajt e fundit. Po përgatitet prapë një shpërblim për pensionistët brenda vitit për të adresuar nevojat e tyre. Rritja e fondit të pagave dhe kontributit të sigurimeve shoqërore, do të çojë dhe në rritjen e pensioneve, vota më 14 maj për Gledin është dhe votë për këtë të politikë të nisur për të çuar në adresimin e problemeve më të gjëra të kësaj popullatës”, nënvizoi .

Kryetari i Bashkisë Gledian Llatja u shpreh se investimet nuk do të ndalen, por do të vijojnë në çdo cep të Elbasanit.

“Ju kam pasur në krahë këto 4 vite, ju kam në krahë sot, do ju kem në krahë edhe 4 vite të tjera për të bërë punë të mira për Elbasanin, për të mbaruar të gjitha rrugicat që kemi edhe në “B. Dardha” edhe në “Q. Stafa”, edhe matanë tek “Çlirimi”, në të gjithë rajonin 2, në të gjithë rajonin 1, në të gjithë Elbasanin, për të zgjidhur problemet e infrastrukturës që ne kemi në lagjet tona. Jemi në një shesh të rikonstruktuar totalisht, ashtu siç po bëjmë të gjitha sheshet e tjera në Elbasan, sheshet e pallateve. Këtu mbrapa kemi pallatet e bëra me fasada të reja, kështu do t’i bëjmë të gjitha pallatet e Elbasanit. Ne po ndërhyjmë dhe do ndërhyjmë në çdo cep të Elbasanit, me një qëllim, të përmirësojmë cilësinë e jetesës së qytetarëve tanë kudo që ata banojnë, në qendër të qytetit, në periferi apo në fshat e zonat tona rurale”, tha ai.

Ai renditi dhe shumë prej investimeve të rëndësishme që do të bëhen në Elbasan, të cilat do të gjenerojnë vende të reja pune dhe përmirësojnë jetën e qytetarëve.

“Ne po e bëjmë Elbasanin një qytet ku të gjithë ne duam të jetojmë, ku fëmijët tanë ta kenë të ardhmen e sigurtë në Elbasan, me kopshte, me çerdhe, me shkolla, me infrastrukturë të zhvilluar. Po ndërtojmë Automoto Parkun, po bëjmë bypassin e Elbasanit, po zhvillojmë Korridorin 8, po bëjmë shkolla, po bëjmë kopshte, po bëjmë çerdhe, po rrisim punësimin. Ne do e zhvillojmë dhe do japim një qëndrueshmëri ekonomike Elbasanit. Ne po zhvillojmë turizmin, po investojmë në Gjinar, po investojmë në Funar, po investojmë në Tregan, po investojmë në Kala. Ne mbështesim ekonominë, ne mbështesim shtresat në nevojë, bashkia e Elbasanit është bashkia më sociale sepse edhe politikat i ka të tilla”, u shpreh Llatja.


Lajmi kryesor:

Dita e 14-të e fushatës! Kandidatët për kryetarë bashkie takime me banorët! Sako: Do nis punën nga zona e Durrësit të ri! Cara premton vëmendje për taksat vendore


K.T.//ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Sipas jush për kë do të votonte diaspora?