Zgjedhjet vendore/ Gara për 'byrekun' 850 milionë euro të bashkive

8 Maj 2023, 10:56| Përditesimi: 8 Maj 2023, 11:10

  • Share

Rreth 850 milionë euro në vit është shuma që kanë në dispozicion Bashkitë në vend për të shpenzuar në buxhetet e tyre. Me përjashtim të Tiranës, 70% e fondeve vijnë nga transfertat e kushtëzuara dhe të pakushtëzuara që u jep qeveria qendrore dhe pjesa tjetër nga taksat e tarifat vendore. “Monitor” ka analizuar buxhetet e bashkive kryesore në vend. Kryeqyteti ka varësi të lartë nga taksat që merr nga dhënia e lejeve të ndërtimit, që sjellin mbi 40% të të ardhurave që mbledh vetë. Ndërsa Durrësi çoi në vitin 2022 për plehrat gati 70% të të ardhurave që mblodhi vetë nga taksat e tarifat. Rreth një e treta e shpenzimeve totale të bashkive kanë destinacion pagat e personelit.

Ethet e fushatës vendore kanë arritur në kulmin e tyre. Kryebashkiakët që rikandidojnë, nxitojnë të tregojnë punët që kanë bërë për njësitë përkatëse që ata kanë drejtuar dhe duan të kryesojnë edhe për të paktën katër vitet e ardhshme. Kandidatët e rinj, që duan të marrin frenat e bashkisë, tentojnë të gjejnë të “çarat” në punët e deritanishme të kundërshtarëve të tyre. Buxhetet që ata do të menaxhojnë nuk janë të vogla. Sipas të dhënave të raportit të financave vendore, një publikim i CoPlan, fondet në total, që kishin në dispozicion 61 bashkitë në vend, ishin rreth 100 miliardë lekë në vitin 2021, ose rreth 850 milionë euro.

Me përjashtim të Tiranës, që siguron vetë mbi 60% të të ardhurave, 70% e fondeve të bashkive të tjera vijnë nga transfertat e kushtëzuara dhe të pakushtëzuara që u jep qeveria qendrore. Sipas CoPlan, pavarësisht burimit të financimit, për vitin 2021 bashkitë patën në dispozicion rreth 36,522 lekë (312 euro) për frymë. Niveli më i ulët i së ardhurës për frymë prej rreth 21,829 lekësh (186 euro) u shënua në Bashkinë e Shkodrës dhe niveli maksimal i burimeve financiare për frymë u shënua në bashkitë Dropull (e cila renditet ndër bashkitë me popullsinë më të ulët) dhe Himarë.

Të gjitha bashkitë, veç kryeqytetit, varen nga pushteti qendror

Paratë që qeveria jep për pushtetin lokal, përmes transfertave të kushtëzuara dhe të pakushtëzuara, përbëjnë pjesën më të madhe të buxhetit që kanë në dispozicion bashkitë në vend, me përjashtim të Tiranës. Vetëm kryeqyteti arrin të sigurojë vetë rreth 60-65% të të ardhurave, ndërsa për bashkitë e tjera, kjo peshë nuk arrin më shumë sesa 30%.

Sipas CoPlan, në fund të vitit 2021, të ardhurat nga burimet e veta vendore përfaqësuan rreth 29% të burimeve totale dhe pjesa tjetër erdhi nga transfertat e kushtëzuara dhe të pakushtëzuara. Transferta e kushtëzuar është fondi që i jepet pushtetit vendor nga Buxheti, i cili duhet të përdoret vetëm për qëllimin dhe sipas rregullave të vendosura nga qeveria qendrore. Peshën më të lartë e ka Ministria e Shëndetësisë, me gati gjysmën, që jepet për mbrojtjen sociale. Transferta e pakushtëzuar nga Buxheti i Shtetit u jepet njësive të vetëqeverisjes vendore për financimin e ushtrimit të funksioneve dhe kompetencave të tyre të përcaktuara me ligj, ku hyn kryesisht financimi i kopshteve dhe çerdheve, konviktet etj.

Varësia e lartë e të ardhurave nga pushteti qendror ul eficiencën e administratës lokale dhe i lë ato në dorën e “preferencave” politike të organeve të qeverisjes qendrore. Në vitin 2021, të hyrat nga transferta e pakushtëzuar (e përgjithshme dhe sektoriale për funksionet e reja) shënuan një nivel prej rreth 27.2 miliardë lekësh, në rritje me rreth 6.6% në terma vjetorë (rreth 27% e totalit). Për transfertat e kushtëzuara, viti 2021 shënoi një nivel prej rreth 43 miliardë lekësh, në rritje me rreth 10% krahasuar me një vit më parë, sipas CoPlan, ose rreth 43% e totalit.

Bashkitë varen nga qeveria

Paratë që qeveria jep për pushtetin lokal, përmes transfertave të kushtëzuara dhe të pakushtëzuara, përbëjnë pjesën më të madhe të buxhetit që kanë në dispozicion bashkitë në vend, me përjashtim të Tiranës. Vetëm kryeqyteti arrin të sigurojë vetë rreth 60-65% të të ardhurave, ndërsa për bashkitë e tjera, kjo peshë nuk arrin më shumë sesa 30%.

Nga i mbledhin bashkitë të ardhurat e veta

Në terma nominalë, 61 bashkitë në vend mblodhën vetë nga taksat e tarifat rreth 29 miliardë lekë në vitin 2021, në rritje me rreth 22% krahasuar me nivelin e mbledhur në vitin 2020. Gati 60% të kësaj shume e mblodhi vetëm Bashkia e kryeqytetit. Mesatarisht, në 61 bashkitë në vend, të ardhurat nga taksat vendore përfaqësojnë rreth 61% të të ardhurave nga burimet e veta vendore, të ardhurat nga tarifat rreth 37% dhe të ardhurat e tjera rreth 2%, sipas CoPlan.

Në strukturën e të ardhurave nga taksat vendore mbizotëron kontributi i të ardhurave nga dy taksa kryesore, të ardhurat nga taksa e ndikimit në infrastrukturë për ndërtimet e reja dhe të ardhurat nga taksa mbi pasuritë e paluajtshme (ndërtesa, tokë bujqësore dhe truall). Së bashku, këto dy lloje taksash përfaqësuan rreth 86% ndaj totalit të të ardhurave nga taksat vendore. Në të kundërt, pesha dhe kontributi i tatimit të thjeshtuar mbi fitimin e biznesit të vogël dhe i taksave të tjera vijuan të jenë të ulëta.

Të ardhurat nga tarifat vendore përfaqësojnë një burim të rëndësishëm të hyrash në buxhetin vendor (vlerësuar në rreth 37% të të ardhurave nga burimet e veta vendore), mbi të cilat bashkitë kanë autonomi të plotë vendimmarrje (në përcaktimin e bazës, nivelit, lehtësive dhe përdorimin e tyre. Këtu përfshihen tarifat e pastrimit, gjelbërimit, zënies së hapësirave publike etj.

Të ardhurat e veta të bashkive

Mesatarisht, në 61 bashkitë në vend, të ardhurat nga taksat vendore (taksa e ndikimit në infrastrukturë për ndërtimet e reja, taksa mbi pasuritë e paluajtshme, etj.) përfaqësojnë rreth 61% të të ardhurave nga burimet e veta vendore, të ardhurat nga tarifat (tarifat e pastrimit, gjelbërimit, zënies së hapësirave publike, etj.) rreth 37% dhe të ardhurat e tjera rreth 2%, sipas CoPlan.

Shqipëria, një destinacion i preferuar turistik, por kjo nuk po përkthehet në të ardhura për pushtetin lokal

Në vitin 2022, në vend u regjistruan më shumë se 7 milionë hyrje nga shtetasit e huaj, duke shënuar rekord historik. Por, pushteti lokal, sidomos në zonat bregdetare, ka përfituar shumë pak nga bumi i turistëve të huaj. Të ardhurat nga taksa e fjetjes kanë peshë minimale në buxhetin e Bashkisë, me më pak se 2% të totalit që mblidhen nga taksat e tarifat.

P.sh., Durrësi në vitin 2021 siguroi vetëm 1.2% të të ardhurave të veta nga taksa e hotelit, më pak edhe se Shkodra, që e kishte këtë peshë në 1.8%. Në Vlorë, treguesi arrin në 1.5%. Ndërsa kryeqyteti, i cili ka një hov të ndërtimit të hoteleve të reja, edhe për shkak të heqjes së taksave për hotelet me 5 yje, siguron vetëm 0.4% të të ardhurave të veta, sipas të dhënave të raportuara nga CoPlan.

Sipas CoPlan, në vitin 2021, rreth 36% e të ardhurave nga taksa e hotelit u mblodhën në Bashkinë e Tiranës, ndjekur nga Bashkitë Durrës dhe Sarandë, të cilat mbledhin përkatësisht rreth 10%, Bashkia e Vlorës me rreth 8% dhe Bashkia e Shkodrës, me 7% të të ardhurave totale të mbledhura nga kjo taksë.

Së bashku, këto bashki mblodhën rreth 75% të të ardhurave nga taksa e hotelit për vitin 2021. CoPLan thekson se niveli i të ardhurave të mbledhura nga taksa mbi veprimtaritë e shërbimit hotelier qëndron ndjeshëm nën potencialin e kësaj takse. Një problem shqetësues në sektorin e turizmit është informaliteti, i cili shfaqet në forma të ndryshme, si mosregjistrimi i strukturave akomoduese apo kapaciteteve reale, mosdeklarimi i netëve të qëndrimit, apo deklarimi i numrave fiktivë etj.

Ekziston një hendek i madh në numrin e strukturave akomoduese të deklaruara përkundrejt atyre që realisht ushtrojnë aktivitetin në territor, thuhet në raportin vjetor të financave vendore 2021. Në mungesë të formalizmit të sektorit, bashkitë humbasin çdo vit të ardhura për buxhetet e tyre, të cilat mund të përdoreshin në përmirësimin e strukturave dhe infrastrukturave turistike.

Bashkitë shpenzojnë më pak se rajoni, por nuk kursehen për paga

Niveli i ulët i të ardhurave që mbledhin bashkitë nga taksat dhe tarifat reflektohet dhe në shpenzimet që ato bëjnë. Sipas CoPlan, treguesi i shpenzimeve të kryera me fonde të veta ndaj Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) është mesatarisht rreth 3.3%. Ky tregues qëndron ndjeshëm nën mesataren e vendeve të Ballkanit Perëndimor (BP, mesatarja 5.5%), vendeve të Europës Juglindore (EJL, mesatarja 6%), vendeve të EU28 (mesatarja 10.6%) dhe vendeve të OECD-së (mesatarja 15.5%).

Sipas CoPlan, përdorimi i parave në dispozicion të bashkive është një aspekt thelbësor për zhvillimin afatgjatë në përgjithësi dhe atë vendor në veçanti. Vizioni afatgjatë i zhvillimit, objektivat strategjikë dhe investimet parësore janë të përcaktuara në dokumentet e planeve të përgjithshme vendore të bashkive (PPV-ve, strategjia për zhvillimin e territorit dhe plani i investimeve kapitale) dhe teorikisht zbatohen nëpërmjet përfshirjes së tyre në planet buxhetore afatmesme (PBA) dhe buxhetet vjetore. Nisur nga numri i lartë i shërbimeve publike për t’u administruar, duket se vëmendja e bashkive është më shumë e zhvendosur në mbulimin e shpenzimeve korrente për ofrimin e tyre.

Ndonëse në pesë vitet e fundit, fondet për investime nga qeveria qendrore (në trajtën e fondeve të kushtëzuara përfshirë fondet nga FZHR) kanë kontribuar në rritjen e investimeve në territoret e bashkive, niveli i tyre mbetet ende i ulët përkundrejt vizionit zhvillimor afatgjatë. Ndërsa nuk arrijnë që të shpenzojnë për të mirën e komunitetit, bashkitë nuk janë kursyer për personelin, të cilat mesatarisht përbëjnë rreth 25% të totalit të shpenzimeve (përfshirë fondet e veta dhe transfertat). Sipas CoPlan, në vitin 2021, kategoria e shpenzimeve për personelin (paga dhe sigurime) përthithi rreth 24 miliardë lekë, në rritje me rreth 8% krahasuar me vitin 2020.

Kjo kategori shpenzimesh përfaqësoi rreth 46% të shpenzimeve me fonde të veta të kryera nga bashkitë gjatë vitit 2021 (niveli më i lartë historik). Në bazë të ligjit për pushtetin lokal, bashkitë e përcaktojnë vetë nivelin e pagave të personelit, bazuar në kriteret përkatëse. Tirana dhe Durrësi dominojnë investimet kapitale. Sipas CoPlan, historikisht, ecuria e shpenzimeve kapitale është përcaktuar gjerësisht nga shpenzimet për investime të kryera nga Bashkitë Tiranë dhe Durrës. Për vitin 2021, shpenzimet kapitale të ndërmarra nga Bashkia e Tiranës përfaqësuan rreth 30% të shpenzimeve totale për investime të kryera me fonde të veta nga 61 bashkitë në vend.

Ky nivel investimesh rezulton të jetë në rënie të ndjeshme krahasuar me një vit më parë (-48%) dhe të paraqesë nivelin më të ulët që prej vitit 2015. Në mënyrë të ngjashme, Bashkia e Durrësit që prej vitit 2020 ka tkurrur ndjeshëm nivelin e investimeve të kryera me fonde të veta.

Aspak të kursyer për paga

Në vitin 2021, kategoria e shpenzimeve për personelin (paga dhe sigurime) përthithi rreth 24 miliardë lekë, në rritje me rreth 8% krahasuar me vitin 2020. Kjo kategori shpenzimesh përfaqësoi rreth 46% të shpenzimeve me fonde të veta të kryera nga bashkitë gjatë vitit 2021 (niveli më i lartë historik). Kjo shifër është sa rreth 25-30% e totalit të shpenzimeve (përfshirë fondet e veta dhe transfertat).

Bashkia e Tiranës, si po e hipotekon të ardhmen për të mbledhur para sot

Fondet që ka pasur në dispozicion Bashkia e Tiranës janë rritur ndjeshëm që nga viti 2016, për dy arsye. Së pari, pushteti qendror ka shtuar transfertat e kushtëzuara dhe të pakushtëzuara. Së dyti, vetë Bashkia ka mbledhur më shumë të ardhura nga taksat dhe tarifat. Në vitin 2022, Bashkia e Tiranës kishte të ardhura prej rreth 24 miliardë lekësh, sipas të dhënave ende paraprake të saj (të dhënat përfundimtare për buxhetin 2022 nuk janë ende publike). Kjo shifër është më se dy herë më e lartë sesa në 2016-n. Rreth 65-70% e të ardhurave vijnë nga taksat e tarifat dhe pjesa tjetër nga transfertat nga pushteti qendror.

Durrësi çon 70% të të ardhurave, që mbledh vetë, për plehrat

Durrësi, një nga qarqet më të mëdha në vend, me një kontribut të rëndësishëm në ekonomi, për shkak të pozicionit gjeografik, nuk arrin të gjenerojë të ardhura të mjaftueshme nga pushteti lokal, duke pasur varësi të lartë nga paratë që jep qeverisja qendrore. Sipas të dhënave të relacionit të projektbuxhetit 2023 të Bashkisë së Durrësit, në vitin 2022, të ardhurat totale të pritshme ishin rreth 3.2 miliardë lekë, nga 3.7 miliardë lekë, që ishte plani fillestar për shkak të mosrealizimit të të ardhurave.

Vetëm rreth 40% e buxhetit sigurohet nga të ardhurat që Bashkia mbledh nga taksat dhe tarifat. Në kahun e shpenzimeve, në vitin 2022 konstatohet një rritje e ndjeshme e fondeve për mbrojtjen e mjedisit (plehrat). Ky zë ishte gati 1.1 miliardë lekë në 2022 (i pritshmi), me rritje 147% në krahasim me vitin 2021. Bashkia ka paguar për plehrat në vitin 2022, gati sa 70% e të ardhurave që ajo mbledh nga taksat dhe tarifat, ose 34% të totalit të burimeve që ajo kishte në dispozicion në 2022.

Bashkia e Fierit

Ashtu si bashkitë e tjera, përveç kryeqytetit, Fieri është i varur nga transfertat që merr pushteti vendor. Nga taksat dhe tarifat, Fieri mbledh më pak se 30% të fondeve që ka çdo vit në dispozicion. Për vitin 2021, Bashkia e Fierit kishte të ardhura gjithsej prej 2.8 miliardë lekësh, sipas të dhënave nga CoPlan. Vetëm nga taksat e tarifat, arkëtimet ishin 780 milionë lekë. Taksa mbi pasuritë e paluajtshme zë peshën kryesore të të ardhurave, me rreth 30% të totalit.

Në kahun e shpenzimeve, pagat i marrin Bashkisë së Fierit mbi 30% të fondeve totale. Për shpenzimet kapitale, Bashkia e Fierit përdor 15% të ardhurave totale.

Bashkia e Shkodrës

Shkodra, e njohur si kryeqendra e Veriut, kishte në dispozicion gati 3 miliardë lekë në vitin 2021. Bashkia arrin të sigurojë vetë, vetëm 25% të fondeve që i nevojiten, ndërsa pjesën tjetër e merr si transferta të kushtëzuara dhe të pakushtëzuara nga pushteti qendror. Të ardhurat që ajo mblodhi nga taksat e tarifat ishin 741 milionë lekë në vitin 2021. Tarifa e pastrimit dhe gjelbërimit sjell 28% të të ardhurave të bashkisë. Nga taksa mbi pasurinë e paluajtshme, Shkodra mbledh gati 20% të fondeve të veta.

Në kahun e shpenzimeve, 24% e tyre shkojnë për personelin, ndërsa 16% janë kapitale.

Bashkia e Vlorës

Vlora është një nga destinacionet kryesore turistike në vend. Qyteti bregdetar kishte në dispozicion 3.2 miliardë lekë në vitin 2021, sipas të dhënave të CoPlan. Nga burimet e veta, Bashkia arriti të mbledhë 31% të totalit. Në vitin 2021, të ardhurat nga taksat e tarifat ishin rreth 1 miliard lekë, duke arritur nivelin më të lartë që nga 2010-a. Taksa e pasurive të paluajtshme sjell 20% të totalit dhe 18% nga taksa e ndërtimit në infrastrukturë.

29% e totalit të shpenzimeve të Bashkisë së Vlorës shkojnë për pagat e personelit, ndërsa ato kapitale arrijnë në 21%.

Bashkia e Korçës

Korça është një nga modelet më të mira se si është nxitur turizmi, si i brendshëm, edhe i huaj. Vite më parë, Bashkia e Korçës vendosi t’i japë përparësi sektorit të turizmit, duke përmirësuar fillimisht infrastrukturën dhe më pas, duke marketuar zonën si një destinacion turistik. Sot, Korça ka rritjen më të qëndrueshme ekonomike dhe normën e papunësisë më të ulët në raport me qarqet e tjera. Politikat lokale që nisën dy dekada më parë, për të promovuar turizmin në Korçë, ishin të suksesshme edhe për faktin se rajoni ka një traditë të pasur në kulinari, kulturë, natyrë etj., e ndihmuar edhe nga arkitektura e padëmtuar e qytetit.

Korça është nga të vetmet qarqe në vend që ka turizëm gjithëvjetor dhe renditet nga qarqet e para për turizmin e brendshëm. Bashkia e Korçës kishte në dispozicion 2.2 miliardë lekë në vitin 2021. Të ardhurat e veta përbënin rreth 33% të totalit, pak më e lartë sesa mesatarja rajonale. Bashkia mblodhi në 2021 nga taksat dhe tarifat rreth 751 milionë lekë. Tarifa e pastrimit dhe e gjelbërimit zë peshën kryesore në të ardhurat që arkëton Bashkia, me gati 30% të totalit. Ndërsa taksa mbi pasurinë e paluajtshme dhe ajo e ndikimit në infrastrukturë kontribuojnë me nga rreth 18% secila.

 

 Korça nuk “kursehet” as me personelin, i cili merr 32% të shpenzimeve totale të bashkisë, ndërsa për investimet kapitale, pesha është rreth 7%.

BB: Reforma territoriale më 2014 përkeqësoi shërbimet publike në zonat rurale

Reforma e decentralizimit në vitin 2014 transferoi përgjegjësinë për ofrimin e shërbimeve publike nga qeveria qendrore tek autoritetet lokale. Fillimisht, fryma e kësaj nisme ishte pozitive, por zbatimi i saj ka qenë i gabuar, pasi rezultoi në shërbime publike të mangëta në zonat me nevoja të mëdha, analizoi Banka Botërore në dokumentin e ri të bashkëpunimit me Shqipërinë 2023-2027.

Pas reformës së decentralizimit, që reduktoi numrin e bashkive në 61 dhe shkriu më shumë se 340 komuna në të gjithë vendin, furnizimi me ujë, kanalizimet, menaxhimi i mbetjeve, arsimi, kujdesi për fëmijët dhe reagimi ndaj fatkeqësive natyrore u përkeqësua.

“Për shembull, mungesa e ofrimit të shërbimeve të kujdesit për fëmijët dhe gratë shkatërroi aftësinë e tyre për të marrë pjesë në aktivitetet ekonomike.

Për më tepër, shumica e autoriteteve vendore kanë rezultuar të paaftë për të rritur kapacitetin operacional dhe financiar për të menaxhuar dhe për të ofruar shërbime në mënyrë vazhdueshme.

Rezultati ishte mungesa në shërbime me cilësi e ulët e tyre” analizoi Banka Botërore.

Mangësitë në koordinim me pushtetin qendror, mungesa e standardeve dhe mekanizmave të llogaridhënies kanë kontribuar në vazhdimësinë e këtyre mangësive, të cilat kanë ndikim të drejtpërdrejtë negativ në kapitalin njerëzor, mjedisin dhe mundësitë ekonomike.

Banka vuri në dukje se këto mangësi janë shkak themelor i disa sfidave të zhvillimit. Ofrimi i shërbimeve publike në përgjithësi është i mangët, por veçanërisht mungesat më të mëdha janë në zonat rurale. Mungesa e ofrimit të shërbimeve në zonat rurale nga njësitë e reja vendore që dolën nga reforma territoriale ka ndikuar në krijimin e pabarazive.

Ndërsa zonat urbane përfitojnë nga mbulimi relativisht më i lartë i shërbimeve publike, nga ana tjetër, cilësia është e dobët dhe ka krijuar më tej kosto sociale dhe mjedisore. Ndotja, mbipopullimi dhe planifikimi i mangët gërryejnë më tej cilësinë e jetës në zonat urbane.

Mangësitë në menaxhimin e mbetjeve të ngurta dhe ujërave të zeza po kufizojnë aksesin e popullatës në shërbimet e duhura të menaxhimit të mbetjeve të ngurta, si dhe aksesin në ujë me cilësi të mirë. Banka Botërore ka planifikuar në marrëveshjen e re të bashkëpunimit mbështetje për menaxhimin e ujit dhe mbetjeve, modernizimin e sektorit të ujit me fokus qëndrueshmërinë dhe furnizim të rregullt.

Do të synohet rritja e efikasitetit operacional dhe financiar të shoqërive të ujësjellësit, duke vendosur stimuj për performancën. Programet e reja të BB do të monitorojnë se sa janë përmirësuar shërbimet, veçanërisht gratë dhe banorët e zonave rurale.

Projekti “CARE for Blue Seas” do të kontribuojë në forcimin e llogaridhënies për menaxhimin e kanalizimeve dhe mbetjeve të ngurta në basenin e lumit Vjosë dhe mbetjeve në komunat e Jugut të Vlorës. Do të rritet menaxhimi i mbetjeve plastike, duke përfshirë promovimin e zgjidhjeve nga sektori privat. IFC do eksplorojë mundësitë për të zgjeruar Programin e Trajtimit të Ujërave të Zeza në Ballkanit Perëndimor ku do të përfshihet edhe Shqipëria./Monitor

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A besoni se do realizohet vota e diasporës për zgjedhjet e ardhshme?