Fundjavë me ‘pizza’ e muzikë napolitane në sheshin ‘Italia’, mes picajolëve nga Napoli, një i dashuruar me shqiptare: Na pëlqen Shqipëria dhe byreku

4 Qershor 2022, 15:40| Përditesimi: 4 Qershor 2022, 17:21

  • Share

Flamuri tringjyrësh, mbulon sheshin që mban emrin e shtetit fqinj, “Italia”...

Këtë fundjavë, Java Italiane, ka si kryefjalë kulinarinë, e sjell në Tiranë “Pizza village” nga Napoli, ndaj zyrtarët janë sportiv e fjalëpak, duke ja lënë vendin përgatitjes në çast e degustimit të picave.

“Mirë se erdhët në ‘Pizza Village’, është një nga ngjarjet më të rëndësishme nga 54 aktivitetet dedikuar Javës së Italisë , një nga eventet që kemi më përzemër. E megjithatë ky është nga ato raste që fjalët janë të tepërta ndaj ju ftoj të gjithëve të provoni picën italiane!”, thotë ambasadori i Italisë, Fabrizio Bucci.

Gjithçka nis me Margherita, picën që ideoi picajoli Raffaele Esposito i picerisë Brandi plot 133 vite më parë në Napoli... Domate, mocarelë e bazilikë, e me sekretet e përçuara brez pas brezi që picajolët e rinj napolitanë kujdesen të mos zbulojnë ndërkohë që ofrojnë picat falas...

I zgjedhur si ‘Best Food Festival’, mes 1 milionë organizimesh të ngjashme, Pizza Village prej 10 vitesh ndërmerr udhëtime të jashtëzakonshme në të gjithë botën duke promovuar këtë trashëgimi kulinare italiane.

“Arti i Picerisë italiane është njohur si pjesë e Trashëgimisë Kulturore Të Njerëzimit. Një vlerësim nga UNESCO  që na mbush me krenari, e përtej shakave, sekreti i picerisë italiane është në shpirtin e picajolit që e përgatit. Kështu që ju ftoj të gjithëve të vini në Napoli për të provuar picën e vërtetë dhe do të mbeteni të habitur!”, thotë Alessandro Marinaci, përfaqësues i “Pizza Village”.

Pak minuta pritje, muzikë italiane, dhe stolat përqark kuzhinës së improvizuar, për ta degustuar picën napolitane siç duhet... Edhe e  diela vijon me këtë shije, ndërsa Java italiane përfundon të martën...

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A jeni dakord që personat e së njëjtës gjini të martohen ligjërisht?