Fund gushti dhe ende fluks pushuesish nga Kosova për në bregdetin shqiptar, radhë të gjata në Morinë (VIDEO)

29 Gusht 2020, 08:33| Përditesimi: 29 Gusht 2020, 14:07

  • Share

Mëngjesin e kësaj të shtune llogaritet të kenë hyrë 15 mijë qytetarë të Kosovës me 5 mije mjete. Destinacionet nisin me Shëngjinin,Velipoja, Durrësi dhe shkojnë deri poshtë në jugun e thellë.

Në fakt fluksi ka qenë i lartë gjatë gushtit, pavarësisht se ky muaj shënoi dhe numrin më të lartë të infektimeve dhe jetëve të humbura si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë. Vetëm gjatë gushtit mbi 800 mijë qytetarë Kosovarë pushuan në Shqipëri.

Zyra për Informim e Policisë së Kosovës, bën të ditur se gjatë gushtit të këtij viti deri me datën 25 gusht për në Shqipëri kanë ardhur për pushime 830 mijë qytetarë të Kosovës. Por shifrat mund të jetë më lartë pasi pas datës 25 gusht çdo ditë në mëngjes e mbrëmje ka patur një fluks të jashtëzakonshmë në Morinë dhe numri i qytetarëve të Kosovës që pushuan këtë verë në Shqipëri, do ti kalojë pritshmëritë, me më shume se 1 milion pushues. Ndërkohë, krahasuar me vitin e kaluar ka pasur një ngritje të ndjeshme, meqë në vitin 2019 gjatë periudhës së njëjtë të vitit kishin kaluar kufirin për në Shqipëri, në Pikë Kufitare në Morinë 686 mijë e 467 persona.

Ndërsa nuk mund të thuhet që interesim i njëjtë ishte edhe nga ana e qytetarëve shqiptarë për të hyrë në Kosovë, kjo pasi që në hyrjet e personave nga 1 gushti deri më 25 gusht të vitit 2020 kishte 275 mijë e 452 qytetarë që kanë hyrë nga Shqipëria në Kosovë. E në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar kishte thuajse përgjysmë më shumë hyrje nga Shqipëria për në Kosovë.

Më saktësisht siç njofton Policia e Kosovës, në gushtin e vitit 2019 kishte 496 mijë e 218 persona që kanë hyrë brenda Kosovës. Kur bëhet fjalë për situatën e pandemisë, ky numër pushuesish nga Kosova, as që pritej në fakt, por fatmirësisht, qytetarët e Kosovës, nuk ndaluan për të pushuar në bregdetin shqiptar, e kjo në një farë mënyre, mbajti një peshë të rëndësishme të turizmit të këtij viti në kushtet kur turistët e huaj këtë verë munguan.

Qytetarët kosovarë jo vetëm kësaj radhe por në vazhdimësi mbajnë primatin e turistëve që vizitojnë Shqipërinë gjatë sezonit veror. 

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?