Protesta e militantëve të Berishës para Kuvendit

Frrok Çupi: Njerëz në vend të hunjve

21 Dhjetor 2023, 10:52| Përditesimi: 21 Dhjetor 2023, 10:55

  • Share

A do të hetohen Sali Berisha dhe Ilir Meta edhe për krimin e përçudnimit të njeriut?! Nëse nuk do të bëhej kjo, atëherë korrupsioni i kullave të dhëndrit do të ishte sa një mizë, i vogël.

Këta e kanë kthyer njeriun në një send. Herë e përdor njëri e herë tjetri; por gjithmonë për punët e veta. Si në rastet më të tmerrshme të historisë së shfrytëzimit të njeriut kur çdo ‘Sali i Tmerrshëm’ e merr njeriun aty pranë, e kthen në një si sfurk dhe kruan kurrizin e vet. Saliu po kruhet edhe tani, aty ku i kruhet më shumë, te burgu. Ilir e kishte kruar qëkurse Saliu ia dha anëtarët e PD për ‘revolucionin e 2 marsit’.

Për ditën e premte, në 22 dhjetor, Saliu tha se ka do të mbledhë ‘mijëra njerëz, gjithë Shqipërinë’ që të rrethojnë selinë e SPAK. Është dita kur Sali Berishës do t’i vihen prangat. E enjtja, 21 dhjetor, është dita kur Kuvendi i Shqipërisë i heq imunitetin parlamentar dhe të premten del ‘lakuriq’ para miliona viktimave të luftës së tij. Kur thotë se ‘do të mbledh mijëra’, të bëhet sikur po del e mbledh kacidhe dhe hunj për të rrethuar trupin e tij lakuriq para Drejtësisë.

Në datën 18 dhjetor i mblodhi ‘kacidhet’ e ardhur nga fisi ose nga ‘eunukët’ rreth tij, dhe u dha urdhrin: ‘tani më mbroni nga Drejtësia’. Më pas i kërcënoi se ‘edhe me 30 vetë jam mbrojtur dhe kam marrë pushtet!’; donte tu thoshte ‘ç’vlerë keni ju që nuk më shpëtoni!’.

Punë veglash e drunjsh!

Më parë i ka përdorur së bashku, njeriun dhe objektin, për të ushtruar dhunë; ndërsa tani edhe njerëzit i shikon si ‘hunj’. Në 8 Janar 2022, Sali Berisha thërriti në Tiranë, buzë Lanës, disa krijesa njerëzore ashtu- ashtu, ardhur nga zona të thella; aq të thella sa nuk e dinin se uji i Lanës nuk pihej. Krijesave të gjalla u vuri në duar mjete vdekëse: Kokë-dashi mesjetar, sfurqe, lopata, sëpata, hunj…, dhe i suli për të vrarë kryetarin dhe deputetët armiq brenda selisë së PD.

 

Kësaj here, në vend që të arratiseshin njerëzit, kanë firuar hunjtë dhe kokë- dashët.

Në gjithë historinë e tij politike, Sali Berisha mori hunj e armë dhe gjakosi njerëzit kundërshtarë. Në maj të viti 1996 e lau sheshin e Tiranës me gjakun e aktivistëve të opozitës. Sapo u kishte vjedhur zgjedhjet parlamentare. Atëherë kishte njerëz të Policisë së shtetit, militantë të tij fisnorë, kriminelë e xhahilë që i përdori si ‘hunj’ për vdekjen e tjetrit

Ka qenë një herë kur edhe njeriun e vdekur e përdori si një ‘kokë- dashi’ për të mposhtur njerëz të gjallë dhe për të marrë pushtet për vete. Ka qenë shtatori i 1998. Trupi i Azem Hajdarit, që ky pas vrasjes e emëroi ‘hero’, ishte ftohur mjaftueshëm dy ditë nëpër qivuret e kujdesuar prej Berishës. Njeriu i kobshëm Berisha, i vuri dorën ën ballë martirit dhe u bind se ishte mjaftueshëm ‘i drunjtë’. Atëherë e mori Azemin dhe me trupin e akullt goditi derën e selisë së qeverisë, ku po ëndërronte të gjallonte për vete. Dera u bë copë- copë; ndërsa njeriu nuk u duk më.

Herë- herë në vend të hunjve përdor njerëz, e herë në vend të njerëzve përdor hunj. Varet ku i kruhet kurrizi Berishës.

Metamorfoza e Berishës: Njerëz dhe hunj!

Të dy objektet, njëri që ecën me dy këmbë dhe tjetri që ka marrë kuptim dhune, alternohen mes tyre. Kjo është metamorfozë lufte. Ku ka njerëz të gjallë nuk ka etiketa të ftohta mbi varre, ku ka varre ka vetëm hunj të sapo ngulur. Pamje besoj se do të jetë, hap pas hapi, objekt hetimi penal në katakombet e krimeve të Berishës.

B.V/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni protestat e dhunshme të Rithemelimit tek Bashkia?