Frikë nga agresioni kinez, Tajvani u bën thirrje grave ushtarake në pension të dalin vullnetarisht për të forcuar aftësitë ushtarake

20 Tetor 2023, 21:00| Përditesimi: 20 Tetor 2023, 21:02

  • Share

Tajvani u ka kërkuar grave ushtarake në pension të dalin vullnetarisht si rezerviste për të ndihmuar në forcimin e aftësive ushtarake përballë agresionit kinez. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Katie Tam njofton nga Taipei për disa nga gratë e para që e kanë pranuar thirrjen.

Në janar, ushtria e Tajvanit njoftoi planet për të përfshirë ish anëtaret gra të ushtrisë në stërvitjet për rezervistë. Grupi i parë i përbërë nga 14 gra kanë treguar vendosmëri për të përmirësuar gatishmërinë luftarake të ishullit.

“Pres me padurim që më shumë oficere dhe ushtare gra t'i bashkohen stërvitjes në të ardhmen. Tajvani është në pararojë të mbrojtjes së demokracisë globale. Ne duam që bota të shohë vendosmërinë tonë për të mbrojtur vendin tonë pavarësisht gjinisë”, tha Tsai Ing-wen, presidente e Tajvanit.

Tajvani ka rreth 2.3 milionë pjesëtarë në personelin ushtarak me kohë të plotë dhe rreth 1.6 milionë rezervistë. Shërbimi ushtarak dhe stërvitja për rezervist është e detyrueshme për burrat tajvanezë.

Përballë rënies së numrit të lindjeve, në vitin 2006 ushtria e Tajvanit filloi të rekrutonte gra për ushtrinë me kohë të plotë. Sot, rreth 9,800 pensionistë ushtarakë janë gra.

Ata që dalin vullnetarë si rezervistë duhet të jenë në gjendje të përballojnë ushtrime rigoroze fizike për të marrë pjesë në nivelet luftarake.

Veterania e marinës Lynn Yeh, ish kapitene e ushtrisë që ka shërbyer për 22 vjet nuk ka dalë vullnetare për tu bërë rezerviste, por ajo thotë se grupi i parë i grave që shkonin për stërvitje ringjalli interesin e saj për të fituar aftësi të specializuara, si shuarja e zjarrit në bordin e anijeve luftarake ose përdorimin e raketave të reja që lëshohen nga nëndetëset.

Ajo thotë se çdo qytetar duhet të jetë i stërvitur, i armatosur dhe i gatshëm për të mbrojtur ishullin vetëqeverisës që Kina e sheh si territorin e saj.

“Është një gjë e mirë që si burrat ashtu edhe gratë shërbejnë në ushtri sepse kur ndodh lufta, pavarësisht gjinisë, duhet të përballesh me të. Ne jemi dy herë më të fuqishëm nëse të gjithë kanë aftësitë bazë ose aftësi mbrojtëse”, thotë Lynn Yeh Taiwain, veterane e marinës.

Kolonelja Chang Ling-ling u bë rezerviste pasi doli në pension vitin e kaluar. 53-vjeçarja është stërvitur për mirëmbajtjen e armëve dhe gjuajtjen me pushkë të vjetra. Pasi të mësojë të përdorë armë më të reja, ajo dëshiron të mbrojë Tajvanin.

“Kur ndodh një gjendje e jashtëzakonshme, unë mund të dal në vijën e parë të frontit menjëherë. Mendoj se është përgjegjësia ime”, thotë Kolonelja Chang Ling-ling.

Ajo e thotë këtë për të vërtetuar se ushtarët, pavarësisht nga mosha apo gjinia, mund të luajnë rol në mbrojtjen e Tajvanit./VOA

S.S/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni funksionimin e Gjykatave dhe Prokurorive në qarqe?