Fredi Beleri kandidat për eurodeputet me partinë e Mitsotakis, gazetari Guri: Vendimi politik, figura e tij do përdoret sikur u godit nga Shqipëria

16 Prill, 14:21| Përditesimi: 16 Prill, 15:03

  • Share

Fredi Beleri, u zyrtarizua dje si kandidat për eurodeputet i Partisë ‘Demokracia e re’ të kryeministrit grek Kyriakos Mitsotakis. Gazetari Edmond Guri në një intervistë për Report Tv thotë se kandidimi i Belerit është një lëvizje politike, pasi partia e kryeministrit grek është përballu me një ulje të mbështetjes nga opinioni publik.

“Beleri me kombësi greke ka të drejtë të kandidojë. Është një vendim politik për të përforcuar më tepër ‘Demokracia e Re’, që kohët e fundit njihja në opinion ka ardhur në ulje për shkak të skandaleve dhe problemeve të mëdha. Disa parti të djathta e kanë propozuar që Beleri të jetë në listat e tyre për eurodeputet dhe ndoshta Mitsotakise ka pranuar”, tha Guri për Report Tv.

Në një intervistë për ‘Sot Live në Shqipëri’ me gazetarin Nertil Agalliu, Guri tha se Beleri është një ‘kartë’ e mirë që mund të përdoret për politikë edhe për shkak të situatës së krijuar me Shqipërinë, pas dënimit të tij për blerje votash në Himarë në zgjedhjet vendore të 14 majit 2023. Guri foli edhe për shanset që ka Beleri për t’u zgjedhur si eurodeputet.

“Me sistemin aktual është shumë herë më i madh shansi për tu votuar, se do ketë votim të deleguar. Votat e deleguar do jetë me postë dhe nga e gjithë Greqia mund të votojë për kandidatin e preferuar. Fredi Beleri në mediat greke është figurë e njohur, edhe pse ka qenë një vëmendje nga disa media dhe figura publike.

Nëse do bëhet një fushatë më e gjerë do kthehet sërish në vëmendje duke pasur parasysh që është një kartë e mirë që ka atë ndjesinë siç e përdorin ca media që Shqipëria ka ndërtuar një mekanizëm për të goditur figurën e Fredi Belerit apo për të marrë bashkinë e Himarës. Premisat janë që ‘Demokracia e re’ të marrë të paktën 14-16 eurodeputetë”, tha Guri.

Guri tha se partia është ndarë në dy kampe, pro dhe kundër kandidimit të Belerit. Kundër kandidaturës së Belerit janë shprehur edhe ministri i Jashtëm i Greqisë, Georgios Gerapetritis dhe këshilltarja për politikën e Jashtme pranë kryeministrit grek Aleksandra Papadhopoulou.

"Kandidimi për eurodeputet dhe përfshirja në listat e ‘Demokracisë së re’, ka qenë një vendim i vështirë, i paramenduar. Është diskutuar kandidimi i tij që pasi fitoi Bashkinë e Himarës dhe nisi peripecia me drejtësinë shqiptare. Ka pasur mendime dhe partia është ndarë në dy kampe, një ishte kundër kandidimit të Belerit dhe pjesa tjetër ishte pro kandidimit të tij.

Në momentin e fundit duke pasur dhe një trysni të madhe politike dhe reduktim të shifra të mbështetësve nga opinioni i gjerë, Mitsotakis vendosi të kandidojë Belerin për eurodeputet”, vijoi Guri.

Nëse Fredi Beleri, fiton mandatin si eurodeputet, ai heq përfundimisht dorë nga betimi për kryetar në Himarë. Ligji ynë ndalon që një kryetar bashkie të jetë deputet. Në Shqipëri po pritet shqyrtimi i dosjes nga Apeli i GJKKO për një vendim të formës së prerë për Fredi Belerin.

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni protestat e dhunshme të Rithemelimit tek Bashkia?