FOTOT/ Zbulohet bazë armatimesh në veri të Kosovës, Sveçla: Përdorej për grupet kriminale serbe

5 Shtator 2023, 14:43| Përditesimi: 5 Shtator 2023, 14:49

  • Share

Një sasi e konsiderueshme armatimi është kapur sot në Zveçan.  Mediat thonë se bëhet fjalë për armë zjarri e të ftohta, uniforma dhe materiale të tjera të luftës.

Autoritetet thanë se armët u gjetën në një shtëpi në Komunën e Zveçanit dhe për momentin nuk ka të arrestuar.

Ministri i Brendshëm Xhelal Sveçla publikoi fotot e armatimeve të sekuestruara në një banesë që është përdorur sistematikisht për grumbullim dhe shpërndarje të armatimit për grupet kriminale serbe.

“Për 2 dekada, veriu i Kosovës ka jetuar në ilegalitet, në një rend anormal, ku kanë gjetur strehë organizatat kriminale e kriminelët e financuar nga Beogradi. Kontrabandimi, hyrja ilegalisht e mallrave e armëve në Kosovë, ka prodhuar situatë shqetësuese edhe për qytetarët tanë në veri, të cilët të përballur me fuqinë e kriminelëve kanë jetuar nën shantazh e presion të vazhdueshëm.

Si Qeveri, gjatë 2 viteve të fundit, kemi zbuluar e bllokuar rrugët ilegale të kontrabandimit. Ditën e sotme, Policia e Kosovës së bashku me institucionet e inteligjencës, pas identifikimit, ka zhvilluar bastisje në një bazë të armatimit në veriun e Kosovës, konkretisht në Zveçan. Kjo shtëpi është përdorur për grumbullim dhe shpërndarje të armatimit për grupet kriminale serbe. Deri më tani është zbuluar një sasi e madhe e armatimit, duke përfshirë armë automatike, fishekë, granata dore dhe eksploziv. Në vendin e ngjarjes, përveç institucioneve të sigurisë, kanë qenë të pranishëm edhe përfaqësues të KFOR-it. Veriu hap pas hapi po shkon drejt normalitetit. Rendi dhe ligji nuk do të cënohet në asnjë cep të Republikës.”, shkruan Sveçla.

Ora 22:47
Pas zbulimit të bazës së armatimeve në Veri të Kosovës, reagon Kurti: Bastisja u krye në prani të KFOR-it

1691612445_11.png

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas aksionit të Policisë së Kosovës në Zveçan ku kanë bastisur një depo armësh. Të pranishëm gjatë aksionit kanë qenë edhe pjesëtarë të KFOR-it.

Kurti ka thënë se armët kanë pasur të shpërndahen te bandat e dhunshme në atë pjesë të Kosovës.

Deklarata e Kurtit është dhënë përmes platformës “X” e njohur më parë si Twitter.

“Një tjetër fitore për sundimin e ligjit dhe sigurinë. Sot Policia e Kosovës në prezencë të KFOR-it, bastisi një depo armësh në Zveçan që përdorej për të kontrabanduar armë në Kosovë për t’ua shpërndarë bandave të dhunshme. U konfiskuan armë të tipit ushtarak si pushkë automatike, granata dore dhe eksplozivë”, shkroi Kurti.

SI.E.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Sipas jush për kë do të votonte diaspora?