FMN: Rritja ekonomike e Shqipërisë 3.7% në vitin 2022! Borxhi ulet në 64% në vitin 2027, inflacioni rrezik

10 Dhjetor 2022, 13:50| Përditesimi: 10 Dhjetor 2022, 14:07

  • Share

Turizmi dhe Pasuritë e Paluajtshme kanë ndikuar në rritjen e ekonomisë shqiptare me 3.7%, e cila pritet të ngadalësohet me 2 përqind vitin që vjen nga pasojat e Luftës në Ukrainë. Ky është konkluzioni i Bordit Ekzekutiv të Fondit Monetar Ndërkombëtar, i cili përfundoi konsultimin për Shqipërinë.

“Pas një rimëkëmbjeje nga të fortë në vitin 2021, ekonomia shqiptare ka ruajtur një vrull pozitiv pavarësisht tronditjes së ekonomisë globale nga lufta e Rusisë kundër Ukrainës. Rritja reale e PBB-së pritet të arrijë në 3.7 për qind në vitin 2022, si pasojë e aktivitetit të fuqishëm në turizëm, pasuri të paluajtshme dhe shërbime. Rritja pritet të ngadalësohet në rreth 2 përqind në vitin 2023, duke reflektuar kushtet më të shtrënguara financiare, ngadalësimin në Evropë dhe tërheqjen e mbështetjes së politikave”.

Fondi Monetar Ndërkombëtar, ndryshe nga optimizmi i qeverisë për kthimin në objektiv të normës së inflacionit brenda 6 mujorit të dytë të vitit 2023, thekson se inflacioni do të rikthehet në objektivin e BSH-së prej 3 % vetëm në mesin e 2024.

“I nxitur nga çmimet e ushqimeve dhe energjisë, inflacioni është rritur dhe është bërë gjithnjë e më i gjerë. Inflacioni total pritet të arrijë kulmin në muajt e ardhshëm dhe duhet të fillojë të ulet në vitin 2023 përpara se të kthehet në objektivin e bankës qendrore prej 3 për qind nga mesi i vitit 2024, pasi çmimet ndërkombëtare të mallrave stabilizohen, politikat fiskale dhe monetare shtrëngohen dhe rritja ngadalësohet.”

Bordi i FMN shprehet optmistë për uljen e borxhit, që pritet të kapi vlerën e 64% në vitin 2027.

“Borxhi i qeverisë së përgjithshme pritet të bjerë më tej në vetëm nën 70 % të PBB-së në fund të vitit 2022, i ndihmuar nga rritja e vazhdueshme ekonomike dhe një defiçit i pritshëm më i vogël në krahasim me vitin e kaluar. Në mungesë të goditjeve të reja, pritet të mbetet në një rrugë rënëse, duke arritur në rreth 64 për qind të PBB-së në vitin 2027, por nevojat për financim bruto do të mbeten të konsiderueshme”.

FMN sqaron se rritja e mëtejshme e çmimeve të ushqimit dhe energjisë janë rreziku kryesor, veçanërisht nëse ato shkaktojnë trazira sociale. Rreziqet zbuten nga niveli i lartë i rezervave valutore të Shqipërisë.  Drejtorët konkluduan se kapaciteti i Shqipërisë për të shlyer fondin është i mjaftueshëm dhe nuk ka nevojë për një zgjatje të Vlerësimit të Pas-Financimit përtej shkurtit 2023.

A.M.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A besoni se do realizohet vota e diasporës për zgjedhjet e ardhshme?