FMN: Ekonomia po shërohet 
plotësuat kushtet e marrëveshjes
PDF-Ja raporti i FMN për Shqipërinë

10 Tetor 2014, 16:26| Përditesimi:

  • Share
Në takimin e vjeshtës të Fondit Monetar Ndërkombëtar, që zhvillohet në datat 10 dhe 11 tetor në Uashington, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të vendeve anëtare, ministri italian i Ekonomisë dhe Financave, Pier Carlo Padoan, shprehu vlerësimet për ekonomitë e Shqipërisë, Greqisë, Maltës, Italisë, Portugalisë dhe San Marinos. Ministrat italianë janë të ngarkuar nga FMN për të mbikëqyrur dhe vlerësuar ecurinë e disa vendeve të rajonit në jug të Evropës, raporti për të cilën bëhet i njohur dy herë në vit, në takimet e pranverës dhe të vjeshtës.

Lidhur me ecurinë e vendit tonë, ai tha se ekonomia shqiptare po përmirësohet dhe se rritja ekonomike vjen si rezultat i rritjes së vazhdueshme të eksportit dhe të kërkesës të fortë private.
Në mbledhje merr pjesë edhe ministri shqiptar i Financave Shkëlqim Cani.
 
Situata
"Përmirësimi i besimit në ekonomi, bilancet më të forta si rezultat i shlyerjes së borxheve dhe kushtet më të mira të financimit kanë nxitur rritjen e konsumit dhe investimeve private" ka deklaruar Padoan. Sipas tij, edhe masat e konsolidimit fiskal të ndërmarra nga qeveria në fillim të vitit janë përthithur mirë nga ekonomia.
 
Kërkesa
Megjithatë, kreu i Financave të Italisë nënvizon se ekonomia shqiptare ende është duke operuar nën potencialin e saj, çka pasqyrohet në nivelin e ulët të inflacionit. "Dobësitë kryesore të ekonomisë mbeten të përmbajtura, teksa trajektorja e borxhit publik është nën kontroll dhe deficiti i llogarisië korrente financohet nga investimet e huaja," vëren Padoan.

“Sistemi financiar mbetet i mirëkapitalizuar dhe i aftë për t’u bërë ballë presioneve të mundshme vendas dhe të huaja të tregut. Në përgjithësi, Shqipëria ka përmbushur objektiva të rëndësishme të programeve të FMN-së”, vijoi ministri Padoan. Sipas tij, Paketa e re fiskale – e cila synoi arritjen e objektivit të taksave, duke hequr në sistemin tatimor shtrembërime, ndihmoi në rritjen e të ardhurave. Borxhet publike të akumuluara nga vitet paraprake janë duke u paguar, në përputhje me programin e FMN-së.
 
Borxhet
“Pavarësisht nga kjo, autoritetet shqiptare mbeten të vetëdijshëm se borxhi publik është i lartë – aktualisht mbi 70 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto – dhe ata janë të vendosur në angazhimin e tyre për ta çuar atë drejt rënies”, u shpreh ministri italian. Një ditë më parë, Komisioni Evropian përsëriste të njejtat vlerësime për ecurinë e ekonomisë shqiptare, duke nisur nga borxhi i lartë publik dhe tendenca në rënie e eksportit apo rritja e importeve.  

Redaksia Online
(g.f/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?