Flota e peshkimit në Durrës në krizë ekonomike, kryesindikalisti: Ka burokraci në Ministrinë e Bujqësisë, u dogjën fondet!

30 Prill, 16:14| Përditesimi: 30 Prill, 16:53

  • Share

160 peshkarexha të cilat punojnë në brigjet e Adriatikut nga Porti i Durrësit, gjenden në vështirësi të shumta ekonomike për shkak të çmimit të lartë të naftës në bursë dhe mungesës së fuqisë punëtore.

“Çmimi i lartë i naftës ka krijuar vështirësi. Situatë jo komode për flotën e peshkimit sepse prodhimi aktualisht është i dobët, ndërsa zëri më i rëndësishëm në faturë është çmimi i naftës. Aktualisht naftën ne e blejmë me çmim burse, 110 lek/litër. Por anija ka dhe kosto të tjera se është kombinat me disa agregatë”, tha kreu i Sindikatës së Peshkimit Klodian Kapiti.

Më tej ai shprehet për mikrofonin e “Report tv” se peshkarexhat punojnë me 60 për qind të kapacitetit, për shkak të mungesës së punëtorëve. Më shumë se treçereku i stafit është egjiptian, pasi në vend janë mbyllur shkollat e peshkimit.

Por shqetësimet e peshkatarëve të Durrësit kanë rënë në veshin e shurdhët të Minsitrisë së Bujqësisë. Kapiti deklaron se është djegur fondi për kantieret e peshkimit vetem për shkak të burokracisë në këtë dikaster.

 “Kishim nje komikim të mirë, por me ardhjen e minsitres së re (Anila Denaj) është krijuar një hendek. Sa herë ka pasur projekte nuk na kanë mbështetur. Ka shumë burokraci për letrat. Është djegur gjithe fondi, 25 aplikime janë kthyer mbrapsht. Nuk quhet favor, që të bëjnë ne kantieret”.

Që prej pandemisë dhe deri më sot peshkatarët e Durrësit, që përbëjnë flotën më të madhe detare në vend janë ankuar për vështirësitë dhe në disa raste kanë protestuar duke refuzuar daljen në det.

R.D//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Pronat shtetërore mund të shkëmbehen me private, si e vlerësoni ligjin?