Fatjon Dauti, deri në këtë fazë të hetimit është njeriu që ka dhënë shpjegime të vlefshme, lidhur me ngjarjen e rëndë, të ndodhur ditën e djeshme, ku u tentua të vritej Preng Gjini. Dauti, është djali i hallës së Preng Gjinit dhe së bashku shoqëroheshin shpesh në Tiranë. Fatjon Dauti ka dhënë dëshminë deri në orët e vona të natës në ambientet e Policisë së Tiranës, ku është marrë në pyetje nga policia dhe prokurorët e çështjes.
Ai ka treguar se punon si agjent marketing pranë një kompanie që tregton libra dhe materiale kancelarie. Ditën e djeshme ka qenë në qytetin e Lushnjës ku ka çuar mallin e porositur nga një klient dhe më pas është kthyer sërish në Tiranë. Dauti ka treguar se në orët e pasdites në Tiranë ka lënë takim, pranë një universiteti privat me kushëririn e tij, djalin e dajës së tij, Prengën. Ky i fundit ka shkuar me një automjet “Mercedez Benz” ML dhe teksa të dy kushërinjtë kanë qëndruar së bashku dhe kanë konsumuar kafe, ata janë ndarë nga njëri-tjetri. Dauti ka treguar në polici se Prenga, i ka kërkuar t'i përdorte makinën e tij një “Mercedez-Benz A-Class”, me pretendimin se makina e tij nuk kishte shumë karburant dhe për më tepër ishte me praktike për t'u parkuar. Dauti, ka shpjeguar se kushëriri i tij nuk i ka thënë asnjë fjalë se ku ishte destinacioni. Por ai ia ka dhënë makinën pa asnjë ngurim, pasi një gjë të tillë e bënte shpesh, sa herë Preng Gjini ia kërkonte.
E njëjta skenë është përsëritur dhe ditën e djeshme. Preng Gjini ka marrë makinën e kushëririt dhe është larguar në një destinancion ende të paqartë. Ai ka hyrë nga rrugica prapa qendrës së kolaudimit, duke dalë mandej në rrugicën që është ngjitur me qëndrën e Forcave Operacionale të Policisë së Shtetit dhe rezidencën ushtarake Turke në Tiranë. Sapo ka hyrë në urrën e Nisharakut, mjeti ka shpërthyer, duke sjellë dëmtime të shumta të Preng Gjinit, por fatmirësisht ka mundur të shpëtojë. Ditët në vijim, prokuroria dhe policia pritet të marin në pyetje Preng Gjinin. Policia kontrolloi dhe makinën “Benz ML” të Preng Gjinit, por nuk kishte asnjë lëndë plasëse.
Lajmi kryesor:
6 të shoqëruar për atentatin në Tiranë/ Gjini ndërroi makinën 10 min para shpërthimit të telekomanduar! Kushëriri: S'kishte karburant te 'ML-ja'! Sekuestrohen tabulatet e telefonave
B.K.//ReportTv.al