Flamurtari kërkon titullin e katërt, fiton përballë Partizanit në ndeshjen e basketbollit për femra

29 Prill 2023, 21:58| Përditesimi: 29 Prill 2023, 22:09

  • Share

Flamurtari dhe Partizani dhurojnë emocione dhe rivalitet në ndeshjen e tretë finale në basketboll për femra me ekipin vlonjat që në fund fiton me rezultatin 77-66. Flamurtari kryeson me ndeshje 2-1 dhe nëse fiton takimin e katërt në kryeqytet shpallet kampion. Nga ana tjetër Partizani do të kërkojë fitoren në ndeshjen tjetër për të lënë gjithçka në takimin e pestë për te vendosur titullin.

Ndeshja e luajtur në Vlorë ka qenë me rivalitet deri në 10 minutat e treta ku ekipi vlonjat arrin të shkëputet. 10 minutat e para mbyllen 17-16 ndërsa në fund të 10 minutave të dyta shifrat janë 37-34 për Flamurtarin.  Ekipi vlonjat zhvillon një periudhë të tretë shumë të mirë duke shkuar deri 14 pikë diferencë dhe mbyllur këto 10 minuta në shifrat 61-47.

Edhe në 10 minutat e fundit ekipi vlonjat administron rezultatin ndërsa Partizani përpiqet por pa arritur të shkaktojë surprizën. Mbyllet përfundimisht 77-66 për Flamurtarin. Mirela Lugaj më e mira lojtare në fushë konfirmon se tashmë Flamurtari do të kërkojë titullin në ndeshjen e katërt.

Takimi i katërt do të luhet në Tiranë me ekipin vlonjat që kërkon titullin ndërsa Partizani për të barazuar gjithçka ne takimet mes tyre dhe vendosur çështjen e titullit në ndeshjen e pestë finale.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?