Vendi i Bashës në Kuvend në flakë, numri 2 i PD: Berisha kërcënim mafioz ndaj kryedemokratit

21 Nëntor 2023, 18:12| Përditesimi: 21 Nëntor 2023, 19:46

  • Share

Aksionin opozitar të Rithemelimit, nënkryetari i Partisë Demokratik Roland Bejko e cilëson si një mënyrë e Sali Berishës për hallin e tij personal dhe jo për interesat e qytetarëve shqiptar, e shtoi se Berisha është fytyra e flakës dhe e agresivitetit. Në një intervistë për emisionin ‘Studio Live’ në Report Tv, Bejko tha se vetë Rama dhe Sali Berisha, janë bashkë dhe kanë interes të krijohet kaos në Kuvend. I pyetur nga gazetari Arbër Hitaj në lidhje me djegien e vendit të Lulzim Bashës në Kuvend, Bejko e cilësoi si kërcënim mafioz ndaj kryedemokratit.

‘Foltorja ka vetëm një hall hallin e Sali Berishës dhe Sali Berisha ka hallin e vet personal. Ka një hall prej dy vitesh me SHBA-të dhe Britaninë e Madhe që e kanë shpallur non grata dhe e kanë izoluar krejtësisht. Kërkon të thotë se nëse nuk më amnistoni jam një faktor i tillë që mund të destabilizoj vendin dhe jo vetëm por gjithë Rajonin. Do të instalojë berizhizmin. Siç duket dhe në parlament Edi Rama i krijoi të gjitha kushtet Sali Berishës. Është filozofia e dhunës. Është fytyra e flakës e dhunë e agresivitetit e gjithçkaje që ka të bëjë me totalitarizmin.  

Demokracia do të vdesë nëse negociohet fati i Sali Berishës. Rama e mirëkupton Berishën dhe i krijon kushtet se nëse do të godasë drejtësia në këto nivele, Rama ka radhën. Ata janë bashkë, ata e ndihmojnë njëri-tjetrin. Nëse e ka quajtur Berisha tradhtar Bashën është lajm i mirë. Basha është jashtë trekëndëshit të Bermudës. Basha është i ndarë nga Rama, Berisha, është i ndarë nga filozofia e dhunës prandaj e quajnë tradhtar, dhe tradhtarit i vendosin flakën. Është një kërcenim alla mafioz duke i djegur vendin. Do e shohim kush do të fitojë në këtë betejë mafia apo drejtësia.’- tha Bejko.

Por analisti Leonard Karaj është i mendimit se zjarri në vendin e kryetarit të PD-së Lulzim Basha ishte aksidental. Sipas Karajt, aksionin e opozitës e deligjitimon Sali Berisha.

‘Nuk dua ta besoj të jetë e qëllimshme. Reagimi i ambasadave është i vonuar. Ky aksion ka nisur para 2 muajsh. Nuk duhet të prisnin deri tani për të thënë një fjali të tyren. Opozita është institucion. Opozita nuk është thjeshtë të shkosh dhe të ulesh aty. Në vitin 2023 askush nuk do të shohë skena të tilla, këto nuk të çojnë askund, por opozita duhet të dëgjohet, komisionet hetimor duhet të ngrihen. Aksionin e opozitës e delegjitimon Sali Berisha.’- tha Karaj.

M.Q.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    1 maji, a respektohen të drejtat e punëtorëve në Shqipëri?