Fjala e Ramës në KS, ish-ambasadori i Shqipërisë në OKB: Merr notë shkëlqyeshëm, i dha një përgjigje dinjitoze diplomatit rus

22 Shtator 2023, 22:09| Përditesimi: 23 Shtator 2023, 07:36

  • Share

Nga salla e Këshillit të Sigurimit në OKB, Kryeministri Edi Rama, në rolin e kryesuesit të debatit të nivelit të lartë, mbrojti vendimin për të ftuar dhe për t’i dhënë fjalën presidentit Ukrainas, Volodymyr Zelensky, vendim që solli një debat të fortë mes tij dhe përfaqësuesit të Rusisë në Këshill.

Debati në tryezën e OKB-së shkakti reagime të forta. Ish-ambasador i Shqipërisë në OKB, prof. dr Ksenofon Krisafi, e vlerësoi me notë shkëlqyeshëm fjalimin e kryeministrit Edi Rama. I ftuar në emisionin 'Pa Protokoll' në Report Tv, Krisafi tha se përgjigja e Ramës ndaj ambasadorit rus ishte dinjitoze dhe e merituar.

‘Fjalimit të Ramës i vë një notë shkëlqyeshëm. Doli në një rol protagonisti. Nuk doli Edi Rama, por kemi të bëjmë me shqiptarët, të cilët në sajë të meritave të tyre dolën në krye të Këshillit të Sigurimit. Po ashtu edhe falë zhdërvjelltësisë dhe mënyrës së veprimit disi atipike të kryeministrit tonë, të luante një rol interesant dhe të jepte një përgjigje të caktuar të merituar dhe dinjitoze, ndërhyrjes së ambasadorit rus. Nuk u bë ndonjë qamet i madh! Kështu bëhet diplomacia me debate dhe replika.’- tha Krisafi.

Po ashtu edhe ish-deputeti i PD-së, Gerti Bogdani e vlerësoi sjelljen e kryeministrit Rama.

‘Është një lajm që gjen konsesus të të gjitha palëve. Pavarësisht kundërshtive politike sjellja e tij ishte përgjatë linjave që duhet të ishte.’- tha Bogdani.

Për ish-ambasadorin Zef Bushati, kryeministri Rama dha një përgjigje me mjaft inteligjencë.

‘Ka qenë një gjë e papritur. akti që iu kthye Zelenskit ishte e papritur për Ramës. Përgjigja e Ramës ishte shumë inteligjente. Nuk kishte pse ti merrte leje askush, tha një fjali që bëri xhiron e botës. Është inteligjent i zgjuar dhe përdor dhe humorin.’- tha Bushati.

Por deputeti Tritan Shehu, nga radhët e Rithemelimit tha se diplomacia nuk bëhet me batuta. Sipas Shehut, deklarata e qeverisë ishte boshe dhe pa konsistencë.

‘Në një vend të tillë unë e quaj pozitive për Shqipërinë. Por kjo është jeta diplomatike. Është jeta e pjesëmarrjes në këto misione. Politika e jashtme behët me mendime me konsistencë me marrëveshje. Në një moment duket sikur çfarë. Cila ishte alternativ e vetme që u dha në atë moment. Unë mendoj se nëse Rama do të kishte folur për sanksionet. Politika nuk bëhet me batuta. Duhet të flasim për politika të mençura. Deklarata e qeverisë ishte bosh, ishte pa konsistencë. Dokumenti më i rëndësishme ishte një deklaratë në emër të qeverisë ishte një dokument bosh. Sanksionet janë elementi kryesor që duhet ngritur.’- tha Shehu.

Mbledhja (20 shtator) në Këshillin e Sigurimit u zhvillua me debate mes përfaqësuesit të Rusisë dhe Kryeministrit shqiptar. Përfaqësuesi i Rusisë, u shpreh kundër të mbajtjes së fjalimit të presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ndërsa Rama iu përgjigj se duhet të ndalojnë luftën në Ukrainë dhe Zelensky s’do e mbajë fjalën.

M.Q.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni protestat e dhunshme të Rithemelimit tek Bashkia?