Ilir Daja

Fitorja historike në Turqi, Ilir Daja: Ky triumf është për gjithë Kosovën

6 Tetor 2022, 21:20| Përditesimi: 6 Tetor 2022, 21:25

  • Share

Ballkani fitoi sot 3-4 me Sivasspor në transfertë, për ndeshjen e tretë në Conference League. Katër pikët në grup bëjnë që skuadra e Ilir Dajës të shkruajë historinë me fitoren e parë në Conference League për një skuadër nga Kosova. Pas ndeshjes, entuziazmi te Ballkani ka qenë në kulm, me trajnerin Daja që ia dedikon gjithë Kosovës.

“Futbollistët e Ballkanit ia dedikojnë gjithë Kosovës dhe ngritjes së futbollit në Kosovë këtë fitore. Këta djem kanë personalitet, karakter. Megjithëse kishim gjithë ato mungesa, lojtarët që u futën e vazhduan atë përpjekje që bënë lojtarët e formacionit. Të mungojë kapiteni, Gripshi, Astrit Thaqi, Bekteshi dhe Leo Abazi nuk është e lehtë, por i përballuam.

Ajo që do të veçoja është që kemi prodhuar lojë dhe kemi pasur shumë situata para portës. Nëse do ishim më cinikë, do ta mbyllnim ndeshjen më herët. Lojtarët kanë fituar përvojë në një nivel tjetër. Ekipet janë të forta dhe kanë përvojë. Kur ke besim te vetja dhe djemtë tanë kanë besim te vetja dhe respektin ndaj vetes, atëherë kjo gjë është shumë e mirë. Karakterin sportiv këta djem e kanë në nivelin optimal.

Sigurisht do të kishim tjetër mbështetje sikur të ishim ‘Xhebrailat’. Shpresoj që në ndeshjen e radhës të kemi përkrahjen e gjithë Kosovës. Këta djem sonte nuk kanë përfaqësuar vetëm qytetin e mrekullueshëm të Suharekës, por gjithë Kosovën”, përfundoi Daja. Me këtë fitore, Ballkani shkon në kuotën e katër pikëve pas tre ndeshjeve, duke ndarë kreun me Sivasspor dhe Slavia Praga, ndërsa çekët kanë një ndeshje më pak.

S.DH/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?