Foto ilustruese

Financierët dhe menaxherët, profesionet më të paguara në vend! INSTAT: Hendeku gjinor në paga i lartë 6.8%, mosha mbi 60 vjeç ka rrogat më të larta

11 Nëntor 2020, 19:58| Përditesimi: 11 Nëntor 2020, 20:19

  • Share

Puna në ndërmarrjet financiare dhe ato të sigurimit të garanton më shumë të ardhura në fund të muajit. Referuar anketës për “Strukturën e të Ardhurave nga Puna në Shqipëri, për vitin 2018”, të realizuar nga INSTAT vihet re se puna në këto dy profesione është më e paguara në vend.

Një orë pune në këto sektorë është paguar në 2018, me 586 lekë, me një diferencë disa fish më të lartë krahasuar me pagesën që marrin punonjësit e sektorit të akomodimit dhe shërbimit ushqimor, ku një orë pune paguhet me vetëm 187 lekë.

Edhe pse puna të paguhet më shumë në ndërmarrjet financiare dhe të sigurimit, përsëri ekziston hendeku gjinor në mes. Në këto sektorë një orë pune e meshkujve vlerësohet me  609 lekë dhe për femrat rreth 571 lekë.

( Kliko këtu ) Anketa e plotë e Strukturës së të Ardhurave nga Puna, 2018

Sipas raportit hendeku gjinor mbi të ardhurat mesatare për orë pune është më i lartë në aktivitetin e industrisë nxjerrëse me rreth 34,9 %, ndërsa më i ulët hendeku është në sektorin e  shërbimeve administrative dhe mbështetëse. Po referuar anketës paga mesatare mujore bruto për një të punësuar ishte 50.725 lekë, ndërsa hendeku gjinor total në paga arrin në 6.8%.

“Hendeku gjinor i pagave tregon diferencën midis pagës bruto që merr një burrë dhe asaj që merr një grua, dhe kjo diferencë ka qenë më e madhe në Industrinë nxjerrëse, me 34,9 % dhe më e ulët në sektorin e shërbimeve administrative dhe mbështetëse, me – 11,5 %. Pabarazia e pagave sipas gjinisë është më e lartë për punonjësit me kohë të plotë me 7,1 % ndërsa për punonjësit me kohë të pjesshme është më e ulët me -1,5 %”, thuhet në anketën e INSTAT.

Sa i takon aktiviteteve ekonomike meshkujt mbizotërojnë në industrinë nxjerrëse dhe përpunuese ndërsa femrat dominojnë në shëndetësi.

“Sipas aktivitetit ekonomik të ndërmarrjes, të punësuarit meshkuj mbizotërojnë në industrinë nxjerrëse me rreth 89,7 %, ndërsa femrat mbizotërojnë në sektorin e shëndetësisë dhe aktiviteteve sociale me rreth 73,7 %. Sipas madhësisë së ndërmarrjes, të punësuarit meshkuj mbizotërojnë tek ndërmarrjet me 10-49 të punësuar dhe të punësuarat femra mbizotërojnë tek ndërmarrjet me mbi 1000 të punësuar”, vijon më tej anketa.

Një tjetër tregues i përfshirë në anketë është edhe vlerësimi i grupmoshave me paga, ku vihet re se eksperienca vlerësohet më shumë. Grupmosha e të punësuarve mbi 60 vjeç marrin më shumë para për çdo orë pune.

“Të ardhurat nga puna sipas grupmoshës së të punësuarve me pagë, janë më të larta në grupmoshën e të punësuarve mbi 60 vjeç, me rreth 330 lekë për orë pune. Meshkujt në këtë grupmoshë kanë të ardhura nga puna më të larta se femrat, të ardhurat mesatare për orë pune për meshkuj janë rreth 333 lekë dhe për femrat rreth 314 lekë. Të ardhurat nga puna janë më të ultat në rang ekonomie për të punësuarit me pagë të grupmoshës më pak se 30 vjeç, rreth 261 lekë për orë. Për këtë grupmoshë diferenca midis të ardhurave nga puna për femrat dhe meshkujt është shumë e ngushtë, të ardhurat mesatare për orë pune për meshkujt janë rreth 263 lekë dhe për femrat rreth 260 lekë”, thuhet ndër të tjera në anketë.

E.M.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni mesazhet që dha Rama në takimin me diasporën në Athinë?