Edlir Tetova, trajneri i Egnatias

Final 4/ Sezoni i shkëlqyer i Egnatias, Edlir Tetova: S'dua të kem pengje, objektiv është finalja

18 Maj, 11:05| Përditesimi: 18 Maj, 11:15

  • Share

Egnatia luan me Vllazninë të dielën në orën 20:00 në "Air Albania". Dueli i kryeqytetit vlen për gjysmëfinalen e dytë të "Final 4", teksa trajneri i rrogozhinasve, Edlir Tetova kërkon finalen kundër Partizanit për të shpresuar titullin kampion në Superligë.

Kundër Vllaznisë, Egnatia ka në favor edhe barazimin, pasi sipas skemës mund të kalojë më tej edhe me "X" për shkak të renditjes më të mirë në sezonin e rregullt (vendi 1).

Tetova, sa ju ndihmon triumfi në Kupë kundër Kukësit për të përgatitur sfidën me Vllazninë?

Fitimi i Kupës, përtej trofeut na ka ndihmuar ta përgatisim këtë duel të qetë. Jam i lumtur që ia dolëm me sukses të arrijmë një nga objektivat tanë dhe për këtë falënderoj ekipin, drejtuesit dhe tifozët që na përkrahën në stadium. Sfida me Vllazninë ka specifikën e vet dhe ne jemi munduar që të marrim maksimumin gjatë këtyre ditëve për të qenë gati për sfidën e gjysmëfinales.

A keni një strategji sesi do të menaxhoni përballjen me shkodranët?

Sigurisht që ne do kemi strategjinë tonë si në çdo takim. Nuk mund të them diçka më shumë në këto momente. Thjesht do të mundohemi të japim më të mirën tonë për të shfrytëzuar deri në fund kapacitetin tonë. Nuk dua të kem pengje për këtë duel, ndaj uroj shumë që detyrat që i kemi vendosur vetes t’i vendosim në dobi të objektivit që kemi për të shkuar në finale.

Si është gjendja e skuadrës në aspektin fizik?

Gjendja e skuadrës është e mirë, pasi i gjithë grupi është gati për të luajtur nga minuta e parë. Lojtarët e Egnatias edhe pse kanë luajtur shpesh gëzojnë një formë që më ka kënaqur në çdo seancë stërvitore. Dëshiroja shumë që ta kisha ekipin e plotë dhe fatmirësisht futbollistët e mi janë gati për duelet e “Final 4”.

Me Aleksin në fushë do i besoni modulit 4-3-3 apo do të luani me 3 qendra në prapavijë?

Për sa i takon vendosjes në fushë e lojës ende nuk kam përcaktuar formacionin, pasi më duhet të bëj llogaritë ditën e ndeshjes. E rëndësishme është që do të luajnë ata futbollistë që kanë treguar vazhdimësi dhe gëzojnë formën më të mirë në këto momente. Aleksi do të jetë i gatshëm për ekipin dhe për ne është një lajm i mirë pasi dihen vlerat e tij.

Çfarë i keni kërkuar futbollistëve para sfidës me Vllazninë?

I kam kërkuar përqendrim maksimal për ta mbyllur me dinjitet sezonin. I gjithë mundimi i këtij sezoni, duhet shpërblyer me rezultate të kënaqshme në përballjet e “Final 4”. Shoh tek lojtarët përkushtim dhe dëshirë për të vijuar përpara. E dimë që Vllaznia është një ekip solid, por ne duam të shkojmë në finale për të fituar trofeun.

Cili është mesazhi që keni për tifozët rrogozhinas?

Nuk dua të zgjatem shumë. Thjesht dua t’i falënderoj për mbështetjen që na kanë dhënë dhe iu them që jeni shumë të vlefshëm për ne sidomos në përballjen me Vllazninë. Bashkë do ia dalim ashtu siç kemi bërë shpesh këto dy vite.

I druheni ngarkesës emocionale të Fangajt dhe Sherrit që luajnë kundër ekipit të qytetit të tyre?

Aspak. Të dy lojtarët janë profesionistë dhe kanë treguar gjithmonë se japin më të mirën për Egnatian. Për ta mbase ky mund të jetë një motiv më shumë për të luftuar dhe fituar me skuadrën ku luajnë.

S.DH/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria luan ndaj Kroacisë sfida e dytë në Euro 2024, kush fiton?