Nxenes te shkolles

Periferi

Fillimshkollë, kjo ditë pa fjalë të rënda. Veç njërit

16 Shtator 2019, 16:45| Përditesimi: 17 Shtator 2019, 11:02

  • Share

Fillimi i vitit shkollor solli një frymë të re e të panjohur politike më parë në fjalimet publike të liderëve kryesorë në vend, sidomos pas ç’dëgjuam gjithë këto muaj të fundit plot tensione. I pritshëm optimizmi i shumicës në pushtet dhe krenaria në diskurse dhe në rrjete sociale për gjithë shkollat e rindërtuara e të sistemuar për këtë sezon shkollor; ndërsa çka jehoi këndshëm i papritur ishte optimizmi dhe fjalori pozitiv i presidentit të Republikës z. Meta dhe liderit të partisë kryesore opozitare z. Basha. Të dy, të vendosur në llogore fjalëdesktruktive në gjithë këtë kohë, për gjithçka e cilindo, sot tingëlluan siç duhet të bënin në një ditë kur në gojën e secilit përmenden emrat e të rinjve e vogëlushëve që kthehen në shkollë.

Bëri përjashtim vetëm lideri historik i PD-së, z.Sali Berisha. Edhe pse më i moshuari dhe më me eksperiencë se kushdo në politikë, z.Berisha nuk u përmbajt as sot që bashkë me urimin për vogëlushët të përfshinte edhe akuzat deri “…mësuesit u japin fëmijëve drogë”.

Në të njëjtën ditë ambasadori i Delegacionit të Bashkimit Europian, z. Luigi Soreca zgjodhi shkollën e mirënjohur Petro Nini Luarasi në kryeqytet për të dhënë mesazhet e tij plot shpresë për hapjen e negociatave të Shqipërisë me BE “…sa më shpejt”. Horizonti europian i Shqipërisë do të na ndante njëherë e përgjithmonë nga humnera kërcënuese, destruktive, fjalëkeqe që si një vrimë e zezë na përthith në gjithë këto vite duke shkatërruar çfarë ndërtojmë dhe ëndërrojmë. Nëse politika për hir të më të vegjëlve, për hir të të rinjve dhe të ardhmes së vendit bën një pakt moral për t’u ndarë njëherë e përgjithmonë nga destruktivizmi si mjet i verbër politik, do të ishte një hap i jashtëzakonshëm për Shqipërinë tonë. Mjerë ai vend që mbetet pa opozitë e pa opozitarë, por akoma më i mjerë ai vend që ka opozitarë destruktivë e hileqarë.

Nuk dimë nëse dita e parë e shkollës ishte thjeshtë një “armëpushim” sa për të thënë, apo linja politike që nis me vjeshtën e parë drejt integrimit europian, për të vazhduar si një epokë e re në politikën tonë. Për t’u uruar e për të dëshiruar një sezon me kundërshtime të forta, por të zgjuara e konstruktive, e që shkojnë të gjitha në një drejtim: përmirësimin e Shqipërisë dhe të çdo shqiptari mbi tokë.

xy//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?