Festohet me art
28-29 Nëntori në Paris

30 Nëntor 2013, 12:00| Përditesimi:

  • Share
Në sallën e ekspozitave të Bashkisë së Paris VII, me rastin e festave kombëtare, 28 Nëntorit Ditës së Pavarësisë dhe 29 Nëntorit, Ditës së Çlirimit u hap ekspozita “Ngjyrat e Shqipërisë”, me tablotë e piktorëve shqiptarë Omer Kaleshi, Zamir Mati, Bujar Luca dhe Artur Muharremi.

Katër piktorë shqiptarë të stileve dhe profileve të ndryshme e kanë bërë Francën si atdhe të dytë. Me mjete e forma të ndryshme ata afrojnë ngjyrat shqiptare, portretet dhe peizazhin shqiptar, atmosferën dhe transformimet sociale, në kuadrin e një arti figurativ apo abstrakt.

Omer Kaleshi, një piktor ballkanik me origjinë shqiptare nga Maqedonia, i shkolluar ne Turqi dhe që për pesëdhjetë vjet rresht ka krijuar në Paris, vazhdon të krijojë gjithnjë ‘kokat’ e tij ballkanike, që e sjellin historinë ballkanike deri tek publiku francez.

Zamir Mati sjell peizazhet me borë të Shqipërisë juglindore, ku francezët gjatë Luftës së Parë Botërore dhanë një ndihmesë të çmuar për pavarësinë shqiptare nëpërmjet Republikës autonome të Korçës dhe hapjes së Liceut Francez, i cili  do të krijonte një plejadë intelektualësh të mëvonshëm që do të linin gjurmë në historinë moderne shqiptare. Bujar Luca, piktor dhe restaurator i shquar i afreskeve, i ardhur në Paris në filimet e vitit 1990, pas rënies së Murit të Berlinit dhe në pragun e fitores së demokracisë shqiptare, ka sjellë fotot e “Kohës së Plumbit” përmes tablove të tij. Po kështu, Artur Muharremi, një tjetër piktor me talent, pas një eksperiencë të gjatë figurative prezanton sprova abstrakte, por që ngjizin brenda tyre botën e shqetësuar shqiptare, në kërkim të dritës, integrimit dhe të një jete më të begatë.

Salla e ekspozitave të kësaj bashkie është njëkohësisht dhe një vend i dialogut të kulturave, eksperiencave artistike, etj. Ekspozita e 4 piktorëve shqiptar do të qëndrojë e hapur deri në 20 dhjetor të këtij viti.


Shkrimi u publikua sot (30.11.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(a.ç/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?